Marrëveshja Kosovë – Serbi për tabelat, Tahiri: Është arritur ashtu siç kam thënë

18.09.2016 19:07

Megjithëse ka pasur deklarata kundërthënëse nga palët në dialog...

Megjithëse ka pasur deklarata kundërthënëse nga palët në dialog, rreth arritjes së marrëveshjeve në Bruksel, ministrja për Dialog Edita Tahiri, thotë se deklaratat e saj rreth arritjes së marrëveshjes së tabelave të veturave që hyjnë në Serbi dhe anasjelltas janë të sakta.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri ka pohuar se tashmë do të ketë reciprocitet mes dy shteteve, sa i përket përdorimit të tabelave të veturave dhe se tabelat prova tashmë janë hequr.

Sipas Tahirit, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga 15 nëntori i këtij viti. E sa i përket qëndrimit të palës serbe dhe BE-së për marrëveshjen e arritur, të cilat nuk përputheshin me deklaratat e ministres Tahiri, ajo thotë se nxitoi t’u japë lajme të mira qytetarëve të Kosovës, të cilët sipas saj, janë të frustruar dhe nervozuar me këto tabela.

Një gjë të tillë Tahiri thotë se nuk e bëri pala serbe dhe as Brukseli, i cili sipas saj bëri njëfarë balanci rreth Pjesa e dytë e marrëveshjes, sipas Tahirit ka të bëjë me heqjen e tabelave ilegale, që qarkullojnë ende në veri të Kosovës, të cilat duhet të hiqen nga qarkullimi për 12 muaj, marrëveshje kjo e cila do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit që vjen.

Si pjesë e tretë e marrëveshjes sipas saj, është dakordimi që nga nëntori të fillohet me dhënien e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, në katër komuna veriore, dhe për këtë, Tahiri thotë se po përgatitet zyra dhe stafi.

Sa i përket pikës tjetër të kësaj marrëveshje, Tahiri thotë se palët kanë pranuar që të vazhdohet validiteti i tabelave KS edhe për pesë vjet, në mënyrë që t’u jepet një klimë pozitive gjithë këtyre të arriturave në kuadër të kësaj marrëveshje.

Kurse, rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Tahiri deklaroi se për këtë, kanë kushtëzuar palën serbe, që pa u plotësuar disa kushte si heqja e barrikadës nga Ura e Ibrit, marrja e kodit telefonik dhe pavarësimi i KOSTT-it, të mos fillojnë me veprime për Asociacionin.