Maqedoni

Raporti i PSP-së arriti në Kuvend dhe KPP, por ende nuk dihet kur do të jetë në rend dite

19.09.2016 14:41

Raporti i dytë i Prokurorisë Speciale Publike tashmë është në duart e deputetëve, por nuk dihet se kur do të gjendet në rend dite për diskutim...

Prokurorja speciale, Katica Janeva, lajmëroi javën e kaluar se është e gatshme të prezantojë raportin prej 19 deri më 30 shtator, edhe para deputetëve edhe para Këshillit të prokurorëve publikë.
 
Kryetari i Këshillit të prokurorëve, Anevski, vërtetoi se raporti tashmë ka mbërritur në këtë institucion dhe pas konsultimeve me anëtarët e këshillit do të caktohet edhe data kur ky raport do të vendoset në rend dite për diskutim dhe do të ftohet për sqarime edhe prokurorja speciale, Janeva.
 
Siç paralajmëroi paraprakisht kryeprokurorja speciale, në raport janë përfshirë procedurat parahetimore dhe hetimore për të cilat është punuar këto 6 muaj dhe personat e involvuar në këto lëndë, përmirësimi i kapaciteteve profesionale dhe ekipeve të hetuesve, si dhe puna profesionale për të anashkaluar të gjitha obstruksionet që po i bëhen punës së kësaj prokurorie që konsistojnë edhe në rritjen e besimit tek ekipi i prokurorëve për të kryer në mënyrë profesionale detyrën e tyre dhe për rritjen e besimit të opinionit vendas dhe të huaj tek PSP.
 
Specialja punon në mënyrë intensive në dëgjimin dhe përpunimin e audio materialeve që ka në dispozicion dhe deri më 15 shtator në proces përpunimi kanë qenë 55 mijë e 250 materiale audio apo më saktë janë përpunuar 12% e numrit të përgjithshëm të materialeve, thonë nga PSP. Në vazhdë janë 38 procedura parahetimore.
 
Nga këto raste, 16 procedura janë rrjedhojë e audio xhirimeve, ndërsa 22 procedura parahetimore janë rrjedhojë e audio xhirimeve të cilat nuk janë bërë publike.
 
Në periudhën 6-mujore të përfshirë në Raport, Kuvendi dhe Këshilli i prokurorëve janë njoftuar edhe për ekipimin e PSP-së me 8 punonjës policorë, por kjo Prokurori ende nuk ka përgjigje për kërkesën e drejtuar për përforcimin e ekipit edhe me një polic nga Drejtoria e policisë financiare. 
 
GAZMEND KURTISHI