Maqedoni

Asociacioni i minierave: Kriza politike ndikon në sektorin e minierave

19.09.2016 15:04

Gjallërimi i sektorit të minierave në Maqedoni pritet nga viti i ardhshëm kur do të lëshohen në përdorim edhe minierat e plumbit dhe zinkut “Zletovë” dhe “Toranicë”...

Gjallërimi i sektorit të minierave në Maqedoni pritet nga viti i ardhshëm kur do të lëshohen në përdorim edhe minierat e plumbit dhe zinkut “Zletovë” dhe “Toranicë”, prodhimi i bakrit në minierën “Kazan Dol”, realizimi i paralajmërimeve për hapjen e minierave të reja, por edhe me stabilizimin e situatës politike në vend.
 
Kështu deklaroi kryetari i Asociacionit të minierave, Nikollajço Nikollov, sipas të cilit shtyrja e nënshkrimit të një pjese të dokumenteve për koncesionet, pikërisht për shkak të krizës politike, mund të ndikojë te investitorët që ata të tërhiqen dhe investimet t’i kryejnë në ndonjë vend tjetër. 
 
“Kapitali nuk duron politikë. Reagimi i shpejtë është shumë me rëndësi që t’i mbajmë investitorët e interesuar për Maqedoninë. Nëse tërhiqen prej këtu do të investojnë diku tjetër. Ndarja e koncesioneve shkon përmes dinamikës së parashikuar, por ka vonesë në nënshkrimin e  dokumenteve nga ministritë përkatëse me siguri për shkak të krizës politike. Por, shpresojmë se pas zgjedhjeve vitin e ardhshëm, minierat do të punojnë në rrethana më të mira”,- deklaroi kryetari i Asociacionit të minierave, Nikollajço Nikollov.
 
Statistikat flasin se në Maqedoni aktualisht janë aktive 173 kompani të cilat marrin pjesë me 10,1% në prodhimin industrial, përderisa tek përpunimi i jometaleve ka 332 kapacitet me 5,14 për qind pjesëmarrje në strukturë.
 
Numri i të punësuarve është gjithsej 12.600, apo 1.7% nga të punësuarit në vend. 
 
GYLTENE SINANI