Akuzat e PSP-së, Janeva: Dhamë dëshmi, Gjykata të respektojë ligjin
Raporti i dytë i Prokurorisë Speciale Publike...

Raporti i dytë i Prokurorisë Speciale Publike tashmë është në duart e deputetëve dhe të hënën e ardhshme do të gjendet në rend dite për diskutim.
Prokurorja speciale, Katica Janeva, në një intervistë ekskluzive për TVM1, flet për obstruksionet që po i bëhen procedurave hetimore të hapura nga kjo prokurori, duke u ndalur specifikisht në rastin “Puç”.
Sipas Janevës, është jologjike dhe antiligjore shtyrja e seancës për këtë rast për 1 muaj e gjysmë, marrë parasysh rëndësinë e vetë rastit. Sa i përket ngritjes së dy akuzave të para nga PSP, Janeva deklaron se Gjykata vetëm duhet të veprojë sipas ligjeve, pasi dëshmitë janë të mjaftueshme.
“Kemi dëshmi të mjaftueshme dhe presim që Gjykata të veprojë në bazë të këtyre dëshmive dhe të veprojë në bazë të ligjeve në fuqi. Opinioni duhet të jetë i bindur se edhe akuzat e ngritura, por edhe çdo hetim apo akuzë e ardhshme, do të jetë e bazuar në fakte të vërtetuara”,- tha prokurorja speciale publike, Katica Janeva.
PSP ka kërkuar nga Parlamenti ndryshime në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por duket se këto ndryshime nuk ka gjasa të gjenden para deputetëve të kësaj përbërje parlamentare. Janeva thotë se këto ndryshime ligjore janë shumë të rëndësishme për ecurinë e procedurave hetimore dhe për ngritjen e akuzave të reja.
“Ne kemi raste të tjera në të cilat nuk kemi instrumente ligjore që realisht të mbrojmë dëshmitarët. Prandaj vlerësoj se është e patjetërsueshme që të miratohen ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Shpresoj të dëgjojnë edhe kërkesën dhe arsyetimin tonë për rëndësinë e zgjatjes së afatit ligjor prej 18 muajsh për të përfunduar ngritjen e procedurave. Prandaj kam kërkuar që të jem e pranishme kur të shqyrtohet raporti ynë”,- theksoi prokurorja speciale publike, Katica Janeva.
Specialja punon në mënyrë intensive në dëgjimin dhe përpunimin e audio materialeve që ka në dispozicion. Deri tani janë përpunuar 12% e numrit të përgjithshëm të materialeve dhe Janeva thotë se do të vazhdojë në mënyrë intensive procedura e dëgjimit të audio materialeve të përgjuara që janë dorëzuar.
Sa i përket pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Janeva potencoi se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të funksionojë pasi ajo është formuar nga Kuvendi në interes të qytetarëve dhe edhe ndonjë vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese në vlerësimin e kushtetutshmërisë së PSP-së do të jetë në favor të Speciales, të qytetarëve dhe sundimit të së drejtës në Maqedoni.
“Drejtësi efikase do të thotë më pak kriminalitet, standard më i mirë dhe shoqëri më e mirë për qytetarët dhe kjo është motoja e vetme e punës për të dhe ekipin që drejton”,- tha Janeva.
