Maqedoni

Përfundoi instalimi i sistemit të ri për ngrohje në Sh. F. “Drita”-Rashçe

19.09.2016 15:33

Projekti i USAID-it për integrim ndëretnik në arsim, bashkë me Komunën e Sarajit, përfunduan instalimin e sistemit të ri për ngrohje në Shkollën Fillore “Drita” në fshatin Rashçe...

Qëllimi i këtij projekti është rritja e vetëdijes dhe sigurimi i trajnimeve për diversitet, ndihma teknike dhe nxitja e këshillave shkollorë, drejtorëve, mësimdhënësve dhe përfaqësuesve të administratës.
 
“Në bazë të aktiviteteve që kemi pasur me shkollën partnere këto dy vite, ne jemi ranguar në vendin e  dytë dhe fituam aty, edhe pse kemi shumë nevoja të tjera, siç e dini, kemi pjesën e cila është djegur, kemi edhe nevoja tjera që kanë ngelur. E pamë të arsyeshme të zgjidhim problemin e ngrohjes, këtu ndihmoi edhe komuna një pjesë, sepse e gjitha kushtoi 1 milion e 900 mijë denarë”,- deklaroi drejtori i Shkollës Fillore “Drita”, Muzafer Murtezani.
 
“Ekziston edhe një tregim pozitiv i cili po ndodh në shkollat në Maqedoni, i cili lidhet me të rinjtë dhe me të ardhmen e tyre, për harmoninë etnike midis nxënësve, prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe të fqinjëve, ndërsa ne duhet të sigurohemi se edhe ky tregim do të rrëfehet”,- tha gjenerali i Gardës nacionale të Vermontit, Stiven Krej.
 
Nxënësit e etniteteve të ndryshme shprehen të kënaqur me këtë projekt.
 
“Është hera e katërt apo e pesta që bëjmë një organizim, ne shkojmë atje dhe ata vijnë këtu, jemi të kënaqur me ta”,- theksoi një nxënëse.
 
“Dua të kemi mendimin e përbashkët, të shoqërohemi”,- u shpreh një nxënës. 
 
Mbi 4200 nxënës ishin pjesë e punëtorive kreative, këndeve kreative, klubeve debatuese dhe debateve publike të organizuara në grupe të përziera etnike. Deri më sot në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 61 shkolla.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI