Hasanbeg, banorët: Po punohet pak për normalizimin e jetës

19.09.2016 17:14

Banorët e Hasanbegut ankohen se nuk është duke u punuar...

Banorët e Hasanbegut ankohen se nuk është duke u punuar sa duhet në asfaltimin dhe rekonstruimin e fshatit të tyre pas vërshimeve që sollën dëme të mëdha.

Ata thonë se rruga kryesore e Hasanbegut, ndonëse ka filluar të ndërtohet gati para një viti, mbarimit të punimeve ende nuk po i shihet fundi. Sipas tyre, më me intensitet po punohet në Stajkovcë se sa në Hasanbeg.    

“Në lagjen e Hasanbegut momentalisht punohet diçka, jo aq sa duhet. Në pjesën tonë diçka po, diçka jo, më shumë punohet në lagjen e Stajkovcës, atje e kanë marrë me intensitet të plotë, punohet me të gjitha mekanizmat, por këtu tek ne kur të mbetet diçka prej atje tek ne e sjellin”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.

“Kanë punuar diçka, por jo sa ka mundësi edhe sa duhet. Shikoni rrugën, ka një vjet që ka nisur të ndërtohet edhe nuk është kryer, nuk i ka asnjë kilometër”,- theksoi një banor i Hasanbegut. 

“Asgjë hiç nuk është punuar. Nuk vijnë asnjë, as me na pa, se jo për më shumë. Po s’ka as ndihma... Prej shtetit nuk kemi asgjë, vetëm një herë na kanë dhënë 500 euro avans edhe më asgjë”,- theksoi një banor i Hasanbegut.

“Siç e shihni edhe ju vet, nuk është punuar mjaftë. Duket se diçka po shkon ngadalë. Rrugët ashtu, kanalet ashtu, shumë pak”,- potencoi një banor i Hasanbegut.          

Problemi esencial me të cilin po përballen banorët e kësaj zone janë shtëpitë e dëmtuara. Shumë familje pas vërshimeve kanë mbetur pa kulm mbi kokë, dhe me ardhjen e dimrit dhe zvogëlimin e temperaturave duket se ky problem do të jetë edhe më i madh.    

"Shtëpitë janë shumë të dëmtuara. Po afrohet koha e dimrit, kur do t’i ndërtojnë ato. Njerëzit janë të gjithë jashtë, ka shumë shtëpi të zbrazëta”,- deklaroi një banor i Hasanbegut.

“Dimri po afrohet, shtëpitë ende askund nuk janë, kur do të bëhen”,- theksoi një banor i Hasanbegut.  

Ndryshe nga banorët e Hasanbegut, gjatë ditës së djeshme kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, u prononcua se në Hasanbeg punimet janë duke u zhvilluar me tempo të njëjtë si në fshatin Stajkovcë.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq i Maqedonisë në xhirollogaritë e rreth 4200 familjeve të prekura nga vërshimet ka transferuar një milionë e 20 mijë euro. Donacioni është grumbulluar nëpërmjet xhirollogarive bankare dhe nëpërmjet numrave nga të gjitha operatorët celularë. (Ersan Pajaziti, TVM2)