Kuvend, grup i punës do të balancojë njësitë zgjedhore
Me disbalancin e numrit të votuesve nëpër njësi zgjedhore...

Me disbalancin e numrit të votuesve nëpër njësi zgjedhore do të merret një grup i veçantë i punës për formimin e të cilit janë dakorduar katër partitë politike më të mëdha të përfaqësuara në Kuvend.
Ata paralajmëruan se brenda javës grupi punës do të mblidhet për të shqyrtuar propozimet e parashtruara me qëllim që të eliminohet kjo zbrazëtirë juridike në Kodin Zgjedhor.
“Sot në koordinim u morëm vesh që të formohet një grup pune për disbalancin që është paraqitur mes njësive zgjedhore dhe në grupin e punës, gjithsesi do të shohim propozimet konkrete të katër subjekteve politike më të mëdha. Për këtë do të jetë i njoftuar edhe opinioni, por edhe kryetari i Kuvendit, se cili do të jetë rezultati i këtij grupi të punës”,- deklaroi Rafis Aliti nga BDI.
“Kërkesa e parë e jona është që të bëhen ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përqindjen e lejuar të tejkalimit të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore, nga 5 që është tani, të bëhet në 1. Nëse ky propozim nuk pranohet, ne do të kërkojmë ndryshim të kufijve të të gjitha njësive zgjedhore në Maqedoni, ndërkaq nëse edhe kjo nuk pranohet, ne propozojmë ndryshim të numrit të deputetëve nëpër njësi zgjedhore”,- tha Imer Aliu nga PDSh.
“Vetëm njësia e gjashtë është jashtë kornizës ligjore edhe atë bëhet fjalë për rreth 2 mijë votues të cilët janë tepricë në atë njësi zgjedhore. Mendoj që nuk është korrekte nga partitë politike që në këtë mënyrë përpiqen të fusin më shumë politikë apo eventualisht të distancohen nga disa procese për mbajtjen e zgjedhjeve”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM thonë se kjo parti do të japë qëndrimin e saj pasi që të sheh qëndrimet e partive të tjera.
Sipas njoftimit të KShZ-së, njësia numër gjashtë tejkalon pragun ligjor mbi 5% nga mesatarja e numrit të votuesve, dhe krahasuar me njësinë zgjedhore numër tre, e cila është brenda normave ligjore, por ka 9.8%, ose rreth 30 mijë votues më shumë. (Naim Ramadani, TVM2)
