Kuvendi miratoi rebalancin e buxhetit, sigurohen mjetet për kompensimin e dëmeve
Banorët e përmbytur nga reshjet e 6 gushtit...

Banorët e përmbytur nga reshjet e 6 gushtit do ta marrin kompensimin nga shteti. Kuvendi miratoi rebalancin e buxhetit me të cilin sigurohen mbi 35 milionë euro për këtë qëllim. Rebalanci do të hyjë në fuqi për tetë ditë, ndërsa kompensimi do të fillojë pasi të përfundojë vlerësimi i dëmeve.
Shumica parlamentare dhe opozita, edhe pse ndanin qëndrimin se duhet të bëhet kompensimi i dëmeve, u përplasën rreth qasjes dhe mënyrën e sigurimit të fondeve. Sipas VMRO-DPMNE-së, këto mjetet prej rreth 40 milionë euro mund të siguroheshin vetëm përmes euroobligimit.
“Ne jemi thellë të bindur se këto mjetet, rreth 40 milionë euro, të cilat janë shumë relativisht e madhe, mundej të sigurohen vetëm nga rezervat, përkatësisht nga mjetet që morëm nga euoobligacioni e që ishin të parapara për vitin 2017. Më saktësisht, rreth 35 milionë po tërhiqen nga këto mjete, nga rezerva dhe rreth 5 milionë duhej të tërhiqen nga një pjesë e ministrive, organe shtetërore dhe institucione”,- tha Kërsto Mukovski nga VMRO-DPMNE.
“Në përmbytjet e gjashtë gushtit dështoi sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit. Pasojat nga ky dështim janë 23 viktima”,- thonë nga LSDM, e cila e mbështeti rebalancin, por tha se nuk do të ndalojë së kërkuari llogari nga ata që marrin paga dhe nuk janë në krye të detyrës kur e do puna.
“Në interes të qytetarëve nga rajonet e përmbytura do të japim votën për këtë rebalanc, por për të gjitha çështjet e tjera mbetemi me qëndrime të ndryshme dhe do të kërkojmë përgjigje nga të gjitha institucionet përgjegjëse, nga të gjithë përgjegjësit në këtë shtet dhe do të kërkojmë të mbajnë përgjegjësi për atë që duhej, por nuk e bënë kur ndodhi përmbytja më gjashtë gusht”,- theksoi Marijanco Nikollov nga LSDM.
Sipas PDSh-së, rebalanci për të kompensuar dënimet bëhet vetëm pse jemi në prag të zgjedhjeve. “Përmbytje dhe viktima kishte edhe para një viti në Tetovë, por nuk u ndërmor asgjë”,- thotë deputeti i PDSh-së, Ernad Fejzullahu.
Ai fajësoi edhe BDI-në për mbështetjen e politikave të gabuara dhe refuzimin e amendamenteve të PDSh-së mbi buxhetin, që kishin të bëjnë pikërisht me rregullimin e infrastrukturës për ujërat atmosferik.
“Të gjithë e kemi të qartë se kjo tragjedi ka edhe faktorin subjektiv dhe faktori subjektiv është kjo shumicë parlamentare që me prepotencë bën rrota, bën filarmoninë, bën fasada, bën përmendore, e nuk është në gjendje të rregullojë dy-tre kanale”,- tha Ernad Fejzullahu nga PDSh.
“Po manipuloni”,- u përgjigjën nga BDI. Sipas Mirvan Xhemailit, deputetët e BDI-së kanë bërë aq sa munden.
“Ne nuk kemi forcë që të parandalojmë katastrofa natyrore që ndodhin, por ne jemi përpjekur që bashkërisht me ata qytetarë të ndajmë dhimbjen, t’u ndihmojmë me të gjitha kapacitet që i ka vënë në dispozicion BDI nëpërmjet kuadrove të saj”,- u shpreh Mirvan Xhemaili nga BDI.
Me rebalancin e dytë të buxhetit, Qeveria parasheh të sigurojë rreth 36 milionë euro, për të kompensuar dëmet nga përmbytjet, përkatësisht parashihet 2.240 milionë denarë, si rezervë e përhershme, për tejkalimin e pasojave nga fatkeqësia natyrore. Me këtë rebalanc, përkatësisht me sigurimin e mjeteve shtesë, bëhet edhe revidimi i deficitit buxhetor në nivel 4% të BPV-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
