Botë
Zjarr në kampin në Lesbos, evakuohen 4 mijë migrantë, nuk ka të lënduar
20.09.2016 12:48
Zjarri i madh, i cili përfshiu kampin “Moria” në ishullin Lesbos të Greqisë, detyroi autoritetet të evakuojnë rreth 4,000 migrantë, pasi që u shkatërruan një pjesë dërmuese e tendave...

Fatmirësisht nuk është raportuar për të plagosur. Policia është duke zhvilluar hetimet nëse zjarri është shkaktuar qëllimisht.
Një punonjës i ndihmës tha se ai ka shpërthyer pas një mosmarrëveshjeje për ushqim, gjë të cilën e kanë vërtetuar edhe refugjatët e kampit.
"Zjarri filloi nga ai vend, aty zhvilloheshte një zënkë në mes të afganëve dhe kombeve tjera. Ata gjuanin me gurë njëri-tjetrin. Më pas ata i vunë zjarrin disa tendave, kështu që gjithë njerëzit dolën jashtë. Nuk ka më tenda, ky edhe është problemi kryesor”,- tha një refugjat.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në Lesbos ndodhen rreth 5,600 migrantë, edhe pse ishulli ka kapacitet për 3,600.
Zjarri ka shkatërruar 30 për qind të kampit. Organizatat bamirëse thonë se disa njerëz janë rikthyer atje, porse numri më i madh mbetet në rrugë.
Sipas Agjencisë greke të lajmeve ANA, zjarri ka shpërthyer pas thashethemeve se migrantët do të deportohen në Turqi.
LEUNORA KALIQI
