Maqedoni

Propozim buxheti 2017, Minovski: Nivele rekorde të investimeve kapitale; Reagon LSDM: Qeveri për zgjedhje, jo për buxhete 3 miliardëshe

20.09.2016 13:12

Qeveria miratoi propozim buxhetin për vitin 2017, që peshon 3 miliardë euro...

Sipas ministrit të Financave, Kiril Minoskit, buxheti është zhvillimor me nivel rekord të investimeve kapitale, që janë madje 20% më të lara se në buxhetin e fundit, me parashikime për rritje pensionesh e punësime.
 
Deficiti buxhetor është parashikuar të arrijë 3 për qindëshin e BPV-së, përkatësisht 18,6 miliardë denarë në vlerë absolute. 
 
“Të ardhurat e tërësishme planifikohen në nivel prej 187,6 miliardë denarë, që është për 7,6 për qind më shumë se në krahasim me vitin 2016, shpenzimet e tërësishme në nivel prej 206,22 miliardë denarësh, ose për 4,5 më shumë në krahasim me këtë vit, ndërsa investimet kapitale do të kenë vlerë rekorde prej 26,95 miliardë denarë. 51.2 miliardë denarë janë destinuar për pagesën e pensioneve dhe në to është përfshirë rritja e parashikuar e pensioneve për pesë për qind, duke filluar nga pensioni i nëntorit, i cili do të paguhet në dhjetor të vitit 2016. Për pagesë të kompensimit në para për personat e papunësuar janë planifikuar mjete  në vlerë prej 885 milionë denarë,  ndërsa për zbatimin e politikave dhe masave aktive për punësim 555 milionë denarë”,- deklaroi ministri i Financave, Kiril Minoski.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. “Nëse buxheti i miratuar nga kuadrot e Nikolla Gruevskit merr votën e shumicës parlamentare, LSDM paralajmëron rishqyrtim të tij të hollësishëm dhe ridizajnim ekskluzivisht në përputhje me nevojat reale të qytetarëve të Maqedonisë. LSDM përkujton ekzekutivin se është qeveri teknike e krijuar vetëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe si e tillë nuk guxon të ndërmarrë veprime të rënda të tilla si buxheti për 2017”,- thuhet nga LSDM. 
 
BESIM ABDULLAI