Maqedoni

Siri, sulmohet karvani, OKB pezullon operacionin e ndihmave

20.09.2016 14:02

Kombet e Bashkuara kanë pezulluar të gjitha karvanët e ndihmave në Siri, pasi kamionët e tyre janë sulmuar nga aeroplanët pranë Alepos...

Nga sulmi mbetën të vrarë 12 persona. Karvani i ndihmave kishte marrë lejet e duhura dhe të gjitha palët ndërluftuese duke përfshirë Rusinë dhe SHBA-në u ishte njoftuar më parë, lajmëroi një zëdhënës i OKB-së. 
 
18 nga 31 kamionët, që përmbanin grurë, rroba dimri dhe furnizime mjekësore, u shkatërruan. Karvani do të shpërndante ndihma për 78.000 persona. Një zyrtar i lartë i Gjysmëhënës së Kuqe Arabe ishte në mesin e një numri civilësh të vrarë.
 
Aktivistët thonë se një sulm ajror goditi kamionët vetëm disa orë pasi ushtria deklaroi se marrëveshja e arritur mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte përfunduar. 
 
Ndërkohë, Uashingtoni thotë se do të rivlerësojë perspektivat e ardhshme për bashkëpunim me Moskën. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, këto sulme janë kryer nga një mjet ajror rus ose sirian, ndërkohë që nuk ka komente zyrtare nga Damasku. 
 
Ky sulm duket të jetë një shenjë e kolapsit të përpjekjes së ShBA-ve dhe Rusisë për t’i dhënë fund dhunës në Siri, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se në këtë pikë nuk dihet më nëse marrëveshja do të mund të shpëtohet.
 
LEUNORA KALIQI