Maqedoni
110 fëmijë me pengesa në rritje, probleme me marrjen e terapisë hormonale
20.09.2016 15:01
Në Maqedoni për momentin ka 100 deri në 110 fëmijë me pengesa në rritje, të cilët trajtohen me hormon për rritje, terapi e cila tërësisht është e mbuluar nga shteti...

Me këtë hormon arrihen rezultate të shkëlqyera, por vetëm nëse terapia fillon në kohë, thonë nga Shoqata “Rritja”. Por, sipas kësaj shoqate, problemi qëndron në vonesën e marrjes së terapisë.
“Në 2016-tën kemi paraparë mjete prej 51 milionë e 68 mijë e 400 denarë, për hormonin e rritjes për 100 fëmijë”,- tha drejtori i FSSh-së, Sasho Stefanovksi.
“Në Maqedoni ka katër lloje të hormoneve të rritjes, por diskriminim përbën vendimi që detyron pacientët të vijnë të maten që të marrin terapinë, një herë në tre muaj. Fatkeqësisht, në dy vitet e fundit ne në kontinuitet përballemi me të njëjtin problem. Konstatimi ynë është se problemi shkaktohet me arsyetimin se nuk ka mjete financiare, arsyetim ky që jepet nga drejtori ekonomik i Klinikës për fëmijë, ndërsa ju vetë e patë se sot nga FSSh thanë se mjete ka”,- deklaroi kryetari i Shoqatës “Rritja”, Aleksandar Petrovski.
Por, drejtori ekonomik i Klinikës për fëmijë, Ridvan Ibrahimi, thotë se gjithçka që është bërë deri më tani është bërë në kuadër të ligjit dhe mohon të gjitha akuzat e Shoqatës “Rritja”.
Ndërkohë, mjekët ekspertë të këtij problemi apelojnë tek prindërit, por edhe tek mjekët pediatër dhe mjekët familjarë që të trajtojnë fëmijët me këto probleme me hormonet e rritjes, por këtë ta bëjnë që në fillim, pasi rezultatet arrihen vetëm nëse terapia fillon në kohë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
