Futboll
“Bombë” e madhe nga Kosova, afrohet Atdhe Nuhiu
20.09.2016 15:12
Sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu, ka vendosur të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës...

Lajmin për vendimin e 27-vjeçarit e ka bërë të ditur të hënën trajneri i Përfaqësues së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Trajneri Sahiti ka thënë se Nuhiu të hënën ka qëndruar në Prishtinë kur edhe ka nisur procedurat për pajisje me pasaportë të Kosovës.
Nuhiu i lindur në Prishtinë ka qenë pjesë e ekipit U-21 të Austrisë. Për ekipin Shpresa të Austrisë ka shënuar shtatë gola në 13 ndeshje. Ai është lojtari i dytë me shtetësi austriake pas Sinan Bytyqit, që vendos të luajë për Kosovën.
“Atdhe Nuhiu të hënën ka qenë në Kosovë dhe i ka nisur procedurat për pajisje me pasaportë. Ai ka pranuar të luajë për Kosovën, por ka mbetur të zgjidhet çështja e nënshtetësisë. Nuhiu ka lindur në Prishtinë. Është një sulmues i nevojshëm për Kosovën, pasi do ta shtonte edhe më shumë konkurrencën në sulm”, ka deklaruar ai.
“Çdo lojtar është i mirëseardhur, në këtë kohë apo edhe në të ardhmen. Dyert e Kosovës do të jenë të hapura për çdo futbollist që ne mendojmë se është i nivelit konkurrues”, ka thënë Sahiti, ndihmësi i përzgjedhësit Albert Bunjaki.
