Tetovë, më 20-24 tetor mbahet Festivali “Ditët e Naimit”, laureat i sivjetmë është poeti tajvanez, Kuei Shien Lee
Festival Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”...

Festival Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20-24 tetor, paralajmëron drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu.
Ky festival përkon me 20 vjetorin e themelimit të festivalit dhe me 170 vjetorin e lindjes së Naim Frashrit. Ndërkohë, çmimin laureat i edicionit të XX-të e ka fituar poeti tajvanez, Kuei Shien Lee, i cili tanimë shumë vite është edhe kandidat për çmimin Nobel.
“Laureat i këtij edicioni është poeti i madh tajvanez, kandidat për disa vite të çmimit Nobel, Kuei Shien Lee, ndërkohë sivjet kemi menduar të shpallim edhe anëtar nderi akademikun, Rexhep Qosen”,- deklaroi drejtori i FND-së, Shaip Emërllahu.
“Atëherë po e lexoj motivimin e jurisë për dhënien e çmimit “Naim Frashëri” të FND-së, poetit tajvanez, Kuei Shien Lee. Është i lindur më 1937, është një nga poetët e njohur në Tajvan, studimet e larta i ka kryer në Institutin e Teknologjisë, por ju përkushtua krijimtarisë në fushë të letërsisë, e posaçërisht ligjërimit poetik”,- theksoi anëtari i jurisë nga Kosovë, Ndue Ukaj.
Përndryshe, në deklaratën e lëshuar për këtë festival poeti, Kuein Shien Lee, është shprehur mjaft falënderues për këtë çmim, dhe ka vlerësuar punën e palodhshme të drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Ndërkohë, gjatë punës së tij ai ka përkthyer në kinezisht poezinë e Naim Frashërit “Fjalët e Qiririt”. (Visari Sadiki, TVM2)
