Maqedoni
Buxheti për vitin 2017, ekspertët: Po rritet borxhi shtetëror
21.09.2016 16:30
Në propozim-buxhetin e vitit 2017, qeveria parashikon që me eurobond të ri ta mbulojë deficitin buxhetor në vitin 2017...

Sipas propozim-buxhetit të vitit 2017, paratë që qeveria do t’i shpenzojë, për të cilat nuk ka mbulim, do të jenë 302,5 milionë euro, ose 3% nga prodhimi bruto vendor, dhe këto do t’i mbulojë me eurobond si dhe me huamarrje nga bankat e vendit.
Këtë ekspertët ekonomik e quajnë si ngarkesë më e madhe për gjeneratat e ardhshme, të cilat do të kenë problem për të kthyer borxhin.
“Në buxhetin e këtij viti shohim të njëjtën tendencë si në vitet e kaluara, kur propozohet buxheti, ana e të hyrave është fryrë jorealisht, për të cilat qeveria e di se nuk do të jenë të realizueshme dhe pastaj kah mesi i vitit do të ketë rebalanc, ku do të gjendet arsye se dikush tjetër është fajtor se nuk do të mundet të realizohen projeksionet e parapara dhe do të kemi deficit më të madh”,- deklaroi profesori universitar, Vanço Uzunov.
Në të njëjtën vijë është edhe eksperti ekonomik, Nikolla Popovski, i cili thekson se jorealizimi i të hyrave dhe prezenca e shpenzimeve në buxhet krijon deficit shtesë, i cili më lehtë mbulohet me kreditim. Ai gjithashtu thotë se është e pahijshme që qeveria teknike të sjellë buxhet të ri për një qeveri tjetër.
“Mendoj se është politikisht e drejtë dhe ekonomikisht e justifikuar, që qeveria të mos e sjellë buxhetin, por të sillet masë për financim të përkohshëm. Ajo është në përputhje me ligjin, nuk është diçka joligjore dhe qeveria e re aty kah fillimi i shkurtit të sjellë buxhet të ri”,- tha profesori universitar, Nikolla Popovski.
Por, qeveria nuk është e këtij mendimi. Sipas ministrit të Financave, Kirill Minovskit, buxheti është zhvillimor me nivel rekord të investimeve kapitale, që janë madje 20% më të lara se në buxhetin e fundit, me parashikime për rritje pensionesh e punësime.
ERSAN PAJAZITI
