Maqedoni

KE: Trajnim për Policinë e Maqedonisë për respektimin e të drejtave të njeriut

21.09.2016 17:06

Këshilli i Europës do t’u sigurojë mbështetje autoritete shtetërore për t’i identifikuar mangësitë dhe t’i tejkalojnë dobësitë...

Këshilli i Europës do t’u sigurojë mbështetje autoritete shtetërore për t’i identifikuar mangësitë dhe t’i tejkalojnë dobësitë që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut gjatë trajtimit policor në vend.
 
Ky projekt është një nga objektivat kryesore edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Projekti i quajtur “Programi Horizontal i Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë” është bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës.
 
Realizimi i këtij programi do të sigurojë mbështetje teknike në sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, promovimin e lirisë së shprehjes dhe informacionit, jodiskriminimit në procedurat policore, e tërë kjo për t’ju mundësuar autoriteteve implementim të rekomandimeve kryesore të Këshillit të Europës.
 
“Gjatë detyrës së tyre, punonjësit policor kanë obligim t’i respektojnë kriteret ligjore, të proporcionalitetit dhe jodiskriminimit. Çdo polic duhet të ketë përgjegjësi individuale për veprimet të tij gjatë kryerjes së detyrave policore. Në çdo shoqëri demokratike shërbimi policor paraqet shërbim publik për qytetarët”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
“Kjo është një mundësi e madhe për policinë e vendit, për ta përforcuar  besimin tek qytetarët dhe qytetarët të kuptojnë se puna e policisë është në të mirë të tyre dhe për sigurinë e tyre”,- tha delegati i BE-së, Nikola Bertolini. 
 
“Një nga elementet kryesore është mekanizmi i mbikëqyrjes së jashtme dhe kjo është në fokus të këtij projekti. Në këtë fushë ka shumë gjëra për të bërë në aspektin e vendimeve gjyqësore, të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut dhe elementet tjera ndërkombëtare si dhe raportet e avokatit të popullit”,- tha Tanja Van Dajk nga Këshilli Europian.
 
Kohëzgjatja e projektit është 18 muaj dhe pritet i njëjti të realizohen deri në vitin 2018. Buxheti i përgjithshëm i projektit është 550,000 euro.
 
GAZMEND KURTISHI