Fondet IPA, rreth 3 milionë euro për Maqedoninë dhe Shqipërinë
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, Maqedonia dhe Shqipëria...

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, Maqedonia dhe Shqipëria do të përfitojnë rreth 3 milionë, fonde të siguruara nga Instrumenti i Ndihmës së Para Aderimit IPA 2, për çka BE ka shpallur thirrjen publike.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, theksoi se projekti në fjalë kontribuon në perspektivën ekonomike dhe stabilitetin politik në rajonin e gjerë.
“Bashkëpunim ndërkufitar do të thotë një pasuri e së ardhmes dhe jo vetëm një mirëkuptim dhe relacion më të mirë. Por, gjithashtu edhe në afrimin e qytetarëve të të dy vendeve, duke ju ofruar shërbime publike dhe infrastrukturë. Bëhet fjalë për një sinerxhi që vendet nuk do të mund të jetojnë pa të”,- deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Ndërkaq, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, Shyrete Elezi, dhe zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Arbër Ademi, besojnë se përvoja e fituar do të jetë bazë për avancimin e suksesit të programit të ri IPA-2.
“Të inkurajuar nga kjo përvojë, ne shpresojmë se shfrytëzimi i programit IPA2 për bashkëpunim tejkufitar do të arrijë mbi 90 për qind. Presim projekte cilësore dhe implementim të tyre të mirë”,- tha ministrja e Pushtetit Lokal, Shiret Elezi.
“Në thirrjen e parë mund të paraqiten subjekte nga rajoni i Pellagonisë, Pollogut dhe rajoni jugperëndimor i Maqedonisë, si dhe rajonet Dibër, Korçë dhe Elbasan nga Shqipëria”,- theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Arbër Ademi.
Bashkëpunimi ndërkufitar do të fokusohet në nxitjen e zhvillimit ndërkufitar ekonomik, avancimin e turizmit, si dhe mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit jetësor. (Naim Ramadani, TVM2)
