Dështon takimi i grupit punës, VMRO-DPMNE nuk merr pjesë në grupin punues

21.09.2016 18:39

Grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore dështoi të mbajë takimin e parë...

Grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore dështoi të mbajë takimin e parë të paralajmëruar për sot, për shkak të mungesës së përfaqësuesit të VMRO-DPMNE-së.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti, thotë se është obligim ligjor që Kuvendi t’i përgjigjet njoftimit të KShZ-së dhe harmonizojë njësitë zgjedhore, prandaj BDI ka marrë nismën dhe ka vënë në tryezë propozimet e saj. 

“Ngel që të thërras edhe një herë një takim të grupit të punës. Sot ishin përfaqësuesit e tre partive politike, BDI-së, LSDM-së dhe PDSh-së. Munguan përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe pikërisht për atë e anuluam punën e grupit që të punohet në përbërje të plotë”,- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti.

Mirëpo palët ndajnë qëndrime të ndryshme edhe mbi njoftimin që ka dërguar KShZ. Sipas BDI-së, pragu është tejkaluar në tre njësi, përkatësisht në njësinë 3, 4 dhe 6. Sipas partive maqedonase, pragu është tejkaluar, minimalisht, vetëm në njësinë gjashtë. Pavarësisht dallimeve, Haliti pret qasje konstruktive të të gjitha palëve. Nëse nuk arrihet marrëveshje brenda javës, grupi do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit gjatë koordinimit të së hënës, kur do të vendoset për hapat e mëtejshëm.  

Ndryshe, grupi parlamentar i BDI-së iu ka dorëzuar grupeve të tjera parlamentare dy draft/variante për balancim të njësive zgjedhore.

Propozimet paraqesin bazament për të filluar debatin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në kontekst të balancimit të njësive zgjedhore që të sigurohen zgjedhje të ligjshme.

Në versionin e parë propozohet që balancimi të bëhet sipas përditësimit të Listës zgjedhore të qershorit, përkatësisht me ato 30 mijë votues që u fshinë nga lista zgjedhore, dhe në variantin e dytë pa 30 mijë votuesit e kontestueshëm.

Ndërkaq, PDSh ka hedhur tezën që të gjitha njësitë zgjedhore të kenë numër të njëjtë votuesish ose alternativën tjetër, që kufijtë e njësive zgjedhore të ngelin siç janë, por çdo njësi zgjedhore të japë deputetë në proporcion me numrin e votuesve të përgjithshëm që ka. (Shpëtim Nuredini, TVM2)