Përmbytje në Indonezi, 23 të vdekur, kërkohen të zhdukurit
Ekipet e shpëtimit në Indonezi kanë vazhduar të kërkojnë....

Ekipet e shpëtimit në Indonezi kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tjerë pas gjetjes së trupave të pajetë të 23 personave si pasojë e përmbytjeve të mëdha që vërshuan vendin e të cilat shkatërruan qindra shtëpi.
Autoritetet raportuan për zhdukjen e 18 personave të cilët janë në kërkim. Vërshimet goditën rajonin Garut, rreth 200 km në juglindje të Jakartas, pasi që shirat e rrëmbyeshëm bënë që lumi të dalë nga shtrati. Autoritetet raportuan se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë.
"Deri në orën 11 të mëngjesit janë evidentuar 23 persona të vdekur dhe të gjitha viktimat janë gjetur në një vend specifik, por të shpërndarë në vende të ndryshme”,- tha drejtuesi i Agjencisë për katastrofa, Dadi Zakarya.
Viktimat janë duke u trajtuar në një spital ushtarak pasi që spitali lokal u përmbyt.
"Ka edhe disa pacientë të cilët janë duke u trajtuar këtu. Këtu janë 16 persona të cilët i mbijetuan katastrofës”,- theksoi përgjegjësi i spitalit, Suganda.
Gjithashtu koha e keqe, shirat e rrëmbyeshëm dhe vërshimet dëmtuan qindra shtëpi dhe shumë persona u detyruan të evakuohen. Banorët shpresojnë në ndihmën e qeverisë.
"Unë vetëm shpresoj në ndihmën e qeverisë tani kur shtëpia ime u shemb dhe të gjitha gjërat e mia janë zhdukur",- u shpreh banori Dalih.
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës janë të zakonshme në Indonezi, shpesh të shkaktuara nga shiu i madh në këtë kohë të vitit. (Leunora Kaliqi, TVM2)
