Hasanbegu pas përmbytjeve, disa familje ende pa ndihmën prej 30 mijë denarësh

22.09.2016 15:45

Edhe përkundër ndarjes së ndihmës prioritare financiare...

Edhe përkundër ndarjes së ndihmës prioritare financiare për shumicën e familjeve të përmbytura nga vërshimet e 6 gushtit, disa prej tyre ankohen se ende në xhirollogaritë e tyre nuk ka hyrë asnjë denarë nga qeveria.

Një prej banorëve që nuk i kanë marrë mjetet financiare është edhe Kenan Ismaili. Ai disa herë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, por deri më tani askush nuk i tregon përse vetëm ata kanë mbetur pa të hollat e para të ndara.

“Prej shtetit 30 mijë denarë nuk i kam marrë, deri më tani asnjë ndihmë nuk kam pasur prej shtetit. Jam lajmëruar tre herë në Ministrinë e Financave, më është paraqitur një vajzë, ishte sekretareshë apo nuk e di se çfarë ka qenë dhe më ka thënë se nuk din çfarë të më thotë, nuk ka mundur të më japë përgjigje. Fëmijët gjatë gjithë kohës këtu dhe po më pyesin pse të gjithë i kanë filluar shtëpitë t’i rregullojnë, kurse ne jo”,- theksoi banori i Hasanbegut, Kenan Ismaili.

Të tjerë thonë se kanë pranuar ndihmat e premtuara në të holla.

“Po, i kemi marrë 500 euro prej shtetit edhe prej Kryqit të Kuq”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.

“Po, i kemi marrë 500 euro, faleminderit prej tyre”,- tha një banor i Hasanbegut.

Ekipi i TVM-2 disa herë ka tentuar të marrë përgjigje nga  Ministria e Financave përse disa banorë të Hasanbegut ende nuk i kanë marrë paratë e ndihmës paraprake, por megjithatë premtimet për një përgjigje pas pak orësh ende deri në këto momente nga ky dikaster nuk është dhënë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)