Dita Botërore pa Makina, qytetarët: Nuk ka rrugë për biçikleta
Dita Botërore pa Makina është një ditë shumë e rëndësishme...

Dita Botërore pa Makina është një ditë shumë e rëndësishme për mjedisin jetësor. Respektimi i kësaj date ndikon drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së ajrit.
Por, biçikletat nuk shfrytëzohen aq sa duhet disa herë për shkak të përtesës, e disa herë se në shumë qytete mungon infrastruktura e përshtatshme. Përdoruesit e rregullt të biçikletave u apelojnë autoriteteve të investojnë në rrugë të përshtatshme edhe për çiklistët, pasi edhe ata paguajnë taksa njësoj si shoferët e automjeteve.
“Përherë e shfrytëzoj, shkoj çdo ditë në punë, është më mirë me biçikletë se në këmbë”,- u shpreh një qytetar.
“Shkoj në dyqan dhe dal me babin”,- u shpreh një qytetare.
“Rrugë special për biçikletë, rrugë nuk ke kur s’ke shtet, flitet se paguajnë shqiptarët, e ku janë lekët”,- theksoi një qytetar.
“Kushte nuk ka edhe megjithëse ka trotuare, trotuaret i zënë automjetet, nuk ka rrugë përveç asaj rrugës qendrore që shkon poshtë, që është për biçikleta, tjetër nuk ka”,- theksoi një qytetare.
Shkupi iu bashkëngjit Ditës pa Makina me një defile që të paktën për disa orë bllokoi shoferët, duke lënë qendrën e qytetit pa tym makinash. Mbi biçikleta, krahas qytetarëve, hipën edhe diplomatë dhe politikanë.
“Vozitja me biçikletë është e mirë për shëndetin dhe nuk duhet të përdoren vetëm njëherë në vit, por çdo ditë, në këtë mënyrë do të mbrojmë shëndetin dhe do të përmirësojmë ambientin”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
“Një numër i madh të cilët sot janë bashkangjitur në këtë iniciativë e dëshmojmë se njohim dhe ndajmë vlera të përbashkëta europiane, prandaj kjo është edhe një arsye shtesë se pse duhet të jemi pjesë e familjes europiane”,- theksoi zëvendësministri për Çështje Europiane, Arbër Ademi.
“Kjo mënyrë e transportit dhe e jetës në përgjithësi është e mirë për shëndetin e njerëzve dhe gjithashtu për mbrojtjen e ambientit”,- u shpreh ministri i Ambientit Jetësor, Bashkim Ameti.
Dita pa Makina synon të zvogëlojë ndotjen e planetit për vetëm një ditë, duke i inkurajuar njerëzit që të jenë më pak të varur nga makinat e tyre dhe të gjejnë alternativa tjera. Ditët pa Makina filluan të praktikohen gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe dita e parë zyrtare “Dita Globale pa Makina” filloi në vitin 2000. (Gyltene Sinani, TVM2)
