ShGM dhe FEG: Bozhinovski në grevë urie, burgu nuk informon
Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, dhe sekretari gjeneral i Federatës....

Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, dhe sekretari gjeneral i Federatës evropiane të gazetarëve, Rikardo Gutierez, kërkojnë që në mënyrë urgjente të ndërpritet paraburgimi për gazetarin, Zoran Bozhinovski, i akuzuar në rastin “Spiuni”, i cili që nga 14 shtatori ka hyrë në grevë urie në burgun hetues në Shutkë, pasi gjykata vendosi t’ia vazhdojë paraburgimin dhe t’ia shtyjë vazhdimisht procesin gjyqësor.
Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, thotë se për këtë vendim Bozhinovski ka njoftuar drejtorin e burgut dhe ka kërkuar të njoftohet edhe avokati mbrojtës dhe Avokati i Popullit, por kjo deri më sot nuk është bërë.
“Ne jemi shumë të brengosur për gjendjen e tij shëndetësore, e cila seriozisht është përkeqësuar gjatë shtatë ditëve të fundit, ku ai nuk ka pranuar të marrë ushqim dhe ujë. Vetëm për një javë ai është dobësuar 20 kilogram dhe si pasojë e kësaj ai për çdo ditë merr nga dy infuzione”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Sekretari gjeneral i Federatës europiane të gazetarëve, Rikardo Gutierez, thotë se gjykatat e Maqedonisë e kanë injoruar kërkesën e tij për ta vizituar Bozhinovskin. Sipas tij, ky rast tanimë është raportuar në Këshillin e Europës, rekomandimet e të cilit Qeveria e Maqedonisë për mbrojtjen e gazetarëve i ka nënshkruar në prill të këtij viti.
“Unë e pyes Qeverinë e Maqedonisë se cilat masa i ka ndërmarrë deri më tani? Sa raste i ka hapur deri më tani për gazetarët? Pse vazhdojnë paraburgimet për gazetarët edhe përkundër asaj që Qeveria i ka nënshkruar rekomandimet e Këshillit të Europës. Edhe qeveritë e vendeve si Rusia dhe Turqia japin përgjigje kur ne apelojmë”,- theksoi sekretari gjeneral i Federatës europiane të gazetarëve, Rikardo Gutierez.
Sipas tij, Federata evropiane e gazetarëve vlerëson se praktikat e Maqedonisë nuk janë në përputhje me praktikat e Këshillit të Europës dhe konventave evropiane për të drejtat e njeriut kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. (Besim Abdullai, TVM2)
