Transporti i nxënësve në Tetovë, nxënës dhe prindër në protesta, bojkotohet mësimi
Ende pa zgjidhje transporti i nxënësve në komunën e Tetovës...

Ende pa zgjidhje transporti i nxënësve në komunën e Tetovës. Banorët e Malësisë së Sharrit thonë se pa zgjidhjen e këtij problemi nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të ndjekin shkollimin. Arsimi është i detyruar dhe problemi duhet të zgjidhet nga autoritetet, thonë ata.
“Ne si prindër jemi të varfër dhe nuk e kemi mundësinë fëmijët t’i dërgojmë në shkollë . Për fat të keq, sot nxënësit janë kthyer përsëri se kërkojnë me pagesë të shkojnë në shkollë, ata nuk kanë mundësi, janë kthye prapë. Kemi marrë vendim që të ndalim fëmijët për arsye se nuk mund t’i dërgojmë në shkollë”,- u shpreh një banor.
“Problemi me transportin është se nuk po paguhet, furgoni nuk i merr nxënësit, sot dërgova djalin në shkollë, e kanë kthye prapë, e thirra tha nuk paguhet furgoni dhe nuk ka... Kërkojmë që t’u paguhet rruga nxënësve si të tjerëve, do i ndalojmë dhe do bëjmë protesta, i kemi dërgua gjithnjë me paratë nga xhepi”,- theksoi një banor.
“Jo, nuk shkojnë, dikush me para shkon, nuk shkojnë të gjithë, asgjë nuk na pranuan, as brenda, edhe ata tani kur do vijnë këtu, BDI-ja dhe PDSh-ja, mos të vijnë në Brodec të marrin vota, do marrim masa me protesta, nëse nuk i paguajnë nuk do lejojmë të shkojnë fëmijët në shkollë”,- u shpreh një banor.
Edhe nxënësit protestuan para dyerve të komunës, duke kërkuar që çështja e transportit të zgjidhet.
“Shumë kërkesa kishim, asgjë të saktë. Premtuan se do rregullohet, do bëjmë edhe mbledhje tjera. Premtime ka shumë, punë aspak”,- theksoi një nxënës.
“Kërkesa ishte për transportin, sepse një pjesë e madhe e fshatrave rurale nuk ka transport. Premtuan se deri të hënën kjo punë do të rregullohet”- tha një nxënës.
“Kërkesat tona ishin që të kemi transport”,- u shpreh një nxënës.
“Ne kërkojmë që të kemi transport, mos paguajmë transportin që vijmë në shkollë. Premtuan se deri të hënën do të ketë transport”,- potencoi një nxënës.
Nga Komuna e Tetovës u prononcuan me shkrim për mediat. Sipas tyre, Ministria e Arsimit lëshon bllok dotacione për transportin drejtpërdrejt në shkolla dhe janë pikërisht shkollat ato që hapin procedurat për furnizim publik, por prindërit këmbëngulin që ky problem të zgjidhet urgjentisht nga Komuna dhe paralajmërojnë se nuk do t’i ndalin protestat deri në fund.
Ata që pësojnë nga moszgjidhja e problemit me transportin janë nxënësit që po humbasin shumë orë mësimi. (Visar Sadiki, TVM2)
