Kuvend, rikthehet debati për procesin e lustrimit

22.09.2016 18:15

Propozim-ligji i opozitës për ndryshimin e Ligjit për shfuqizimin e ligjit për lustrim...

Propozim-ligji i opozitës për ndryshimin e Ligjit për shfuqizimin e ligjit për lustrim ka rikthyer debatin për këtë çështje mes pushtetit dhe opozitës.

Me këtë propozim-ligj opozita kërkon ndërprerjen e ekzistimit të Komisionit për verifikim të fakteve ose të të ashtuquajturit Komision për lustrim, edhe pse sipas ligjit ekzistues, ai duhet të ketë mandat deri në kryerje të të gjitha procedurave, por jo më shumë se dy vjet nga dita e fillimit të zbatimit të ligjit. Sipas opozitës, ekzistimi i komisionit pas ndërprerjes së procesit të lustrimit është i pakuptimtë.

“Propozim-ligjin e parashtruam pasi konsideronim se Komisioni për verifikimin e fakteve duhet të mos ekzistojë dhe të mos harxhohen aq shumë mjete për këtë komision, pasi nuk ka arsyeshmëri përse ekziston”,- deklaroi Lidija Dimova nga LSDM.

Mirëpo, VMRO nuk ndan këtë bindje. Madje deputeti, Dimitar Stevanxhija, thotë se duhet të ekzistojë një ligj më rigoroz, edhe pse lustrimin e ndërpreu pikërisht shumica parlamentare.  

“Duhet të ekzistojë kolege Dimova, madje edhe më rigoroz. Duhet të ekzistojë për shkak të drejtësisë, për shkak të satisfaksionit moral të familjeve që kanë qenë viktima të spiunëve”,- tha Dimitar Stevananxhija nga VMRO-DPMNE.

Me ndryshimet, deputetët e opozitës kërkojnë që afati i ekzistimit të komisionit të zvogëlohet prej dy në një vit nga fillimi i zbatimit të Ligjit për ndërprerje të validitetit të ligjit për përcaktim të kushtit për kufizim të kryerjes së funksionit publik, qasjes në dokumente dhe publikimin e bashkëpunimit me organet e sigurisë shtetërore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)