Maqedoni
PDSH ka mbajtur tubim në Çair
14.04.2014 18:02
Partia Demokratike Shqiptare ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit...

Partia Demokratike Shqiptare ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit. Në takimin me banorët e Çairit, PDSH paraqiti kandidatët për deputet dhe ofertën politike.
Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, kërkoi votën e shqiptarëve dhe myslimanëve të kësaj Komune për të realizuar platformën e saj, e cila sipas tij, parasheh marrjen e hises së shqiptarëve dhe kthimin e dinjitetit të shqiptarëve në institucione. Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat e partive të tjera në adresë të tij, ndërkaq nuk la pa akuzuar as mediat, të cilat sipas tij, përpiqen të dëmtojnë PDSH-në.
“Ne kemi qëndrim shumë të qartë. Motoja jonë është: Ne nuk jemi të dyanshëm. Ne jemi tek, bir, një milet, një popull, një gjuhë, një fe, një histori. Ne asnjëherë nuk e kemi bërë pjesë të pazarit këtë ide. Për besë asnjëherë s’kam qenë më i bindur në fitoren e PDSH-së”, deklaroi kryesuesi i listës për njësinë zgjedhore numër gjashtë i PDSH-së, Mendu Thaçi.
Ndërkaq, bartësi i listës së PDSH-së në njësinë zgjedhore numër një, Bekim Fazliu, ironizoi kërkesën e Bashkimit Demokratik për Integrim për të fituar 25 deputet, duke i quajtur deputetët e kësaj partie kukulla.
“Hajr është vetëm me rënë numri i deputetëve të tyre, shkon e pakësohet dhe t’ia jepni një votë më tepër z. Mendu Thaçit dhe ta shihni se çka do të thotë të punosh për shqiptarët”, u shpreh kryesuesi i listës për njësinë zgjedhore numër një i PDSH, Bekim Fazliu.
Muhamed Thaçi, kandidat i PDSH-së për deputet në njësinë zgjedhore 1, kërkoi votën e bashkëqytetarëve të tij, për të zgjidhur problemet kolektive të shqiptarëve. Ai edhe një herë përmendi idenë që kreu i partisë shqiptare që fiton zgjedhjet, të bëhet pjesë e Qeverisë. Sipas tij, vota për PDSH-në do të vendos Mendu Thaçin në pozicionin e nënkryetarit të Qeverisë.
“Oferta jonë politike është zgjidhja e probleme kolektive, zgjidhje për hisen që na takon, zgjidhje për ardhmërinë e fëmijëve tanë. Ne kemi platformën tonë, kemi marrëveshjen e re, me të cilën nëse e realizojmë do të përfundojnë hallet e shqiptarëve. Kemi garanci në mbështetje nga faktori ndërkombëtar, Kosova dhe Shqipëria”, theksoi kandidati për deputet i PDSH-së, Muhamed Thaçi.
Partia Demokratike Shqiptare në zgjedhjet parlamentare garon në shtatë njësi zgjedhore, nga nëntë gjithsej. PDSH nuk ka listë për njësinë zgjedhore numër katër dhe për njësinë zgjedhore numër nëntë.
SHPËTIM NUREDINI
