Maqedoni

BDI mbajti tubim në Strugë

14.04.2014 18:05

Duke vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë”...

Duke vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë”, BDI ka kërkuar përkrahjen e banorëve të Strugës, duke potencuar se nuk i trembet askujt që është vërsulur kundër saj.
 
Kandidati për deputet, Ramiz Merko, ka thënë se pas qeverisjes së tij, komuna e Strugës i ka mbyllur dyer për qytetarët, por se deputetët e ardhshëm të BDI-së do të thyejnë dyert e mbyllura të të gjitha institucioneve.
 
“Tani kur dera e Komunës është e mbyllur për shumë qytetarë të qytetit të Strugës, ne deputetët e ardhshëm të Parlamentit të Maqedonisë do t’i hapim të gjitha dyer e tjera, si në Parlament, si në Qeveri, si nëpër Ministri, të gjitha hallet dhe problemet do t’i zgjidhim bashkë dhe besoj se ajo derë që nuk do të na hapet, ne do ta thyejmë bashkë”, deklaroi kandidati i BDI-së për deputet, Ramiz Merko.
 
Ndërsa bartësi i listës në njësinë zgjedhore 5, Musa Xhaferi, është shprehur se është e drejtë kushtetuese e shqiptarëve që të jenë të përfaqësuar në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv, në Prokurori dhe në të gjitha institucionet tjera të shtetit.
 
Xhaferi ka shtuar se Struga është qyteti që lidh vendin me NATO-n, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mban flamurin e NATO-s. Xhaferi deklaroi se BDI do të punojë për zhvillimin e Strugës në të gjitha sferat.  
 
“BDI ka për obligim dhe për synim që Strugën ta ngrisë në një qendër regjionale, zhvillimore, të turizmit, kulturës, artit dhe ky është momenti që ne të bashkohemi drejt BDI-së, që ta fuqizojmë dhe ta rrisim votën tonë, që t’u themi të tjerëve se projektet tona kanë legjitimitetin e votës dhe ato do të realizohen me një bashkëqeverisje me votuesit e tjerë”, theksoi bartësi i listës në njësinë zgjedhore 5, Musa Xhaferi.
 
Ndërsa lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi foli për platformën e partisë, Marrëveshjen e Ohrit dhe për rëndësinë e anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike, ai tha gjithashtu se mandati në vijim është përplot me vështirësi e përballje, por se ai nuk u trembet ballafaqimeve. 
 
“U them të gjithë atyre që i janë vërsulur kundër BDI-së, nuk na frikësojnë, sepse malet nuk shemben nga breshëri. Por ne kërkojmë urtësi, ne kërkojmë afrim dhe pajtim, sepse ky është edhe një vit shumë i dhimbshëm me rastin e 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike. Luftërat Ballkanike kanë qenë të kobshme, kanë qenë të dhimbshme dhe ne akoma plagët i kemi të hapura, akoma gjaku është i freskët dhe nuk duam t’i përsëritet as Ballkanit e as vendit tonë, t’i përsëritet një e kaluar e tillë. Kërkojmë të jemi pjesë e Evropës dhe ky qëllim do të arrihet, sepse ka qenë qëllim edhe i rilindësve tanë. Mos e harroni Naim Frashërin kur thotë se “dielli lind për ardhmërinë tonë në perëndim”, u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
BDI do të vazhdojë sot fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Komunën e Sarajit. 
 
 
MEFAIL ISMAILI