Ivanov për krizën politike: BE nuk ka forcë të zgjidhë problemet
Presidenti Ivanov ka fajësuar Bashkimin Europian për krizën politike në Maqedoni....

Në fjalimin e tij në OKB, Ivanov potencoi se bllokimi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike ka ushqyer zgjatjen e krizës politike dhe Maqedonia, sipas tij, e ka të qartë se BE nuk ka forcë të zgjidhë problemet e Ballkanit.
“Pavendosmëria e Bashkimit Europian dhe e NATO-s për ta debllokuar integrimin e Republikës së Maqedonisë ishte njëra prej arsyeve kryesore për krizën e vazhdueshme të brendshme politike në Maqedoni që kulmoi këtë vit. Pasojat nga bllokadat u bënë arsye për bllokada të reja. Shtetet ballkanike në mënyrë naive besojnë se dikush prej jashtë do t`ia zgjidh problemet. BE si duket nuk e ka atë forcë”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Maqedonia përballet me kriza të importuara nga vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, ose nga vende që drejtohen nga OKB, shtoi më tej Ivanov, duke folur për krizën e refugjatëve.
“Shumë prej rreziqeve tona të brendshme janë pasojë e krizave të importuara, edhe përkundër mbështetjes bilaterale për të cilën ju jemi shumë mirënjohës. Maqedonia përballet vetë me krizat dhe rreziqet, ndërmerr masa dhe merr përgjegjësi për mbrojtjen e territorit të saj, me këtë edhe të BE-së, dhe për këtë marrim kritika dhe kërcënime për integritetin tonë. Pavendosmëria e BE-së për t’u përballur me krizën e refugjatëve rrezikon sigurinë e Republikës së Maqedonisë”,- tha presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Ivanov nuk la pa përmendur se OKB-së i drejtohet në gjuhën maqedonase, pasi edhe ai dhe populli që jeton në RM janë maqedonas dhe si të tillë duan të bashkëpunojnë me fqinjët.
“Kushti i vetëm është që të respektohemi dhe përmes dialogut të vijmë deri te zgjidhja”,- deklaroi Ivanov në OKB, duke kërkuar që çështja e emrit me Greqinë të mos jetë pengesë për realizimin e bashkëpunimit maksimal në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. (Gyltene Sinani, TVM2)
