Tetovë, transporti i nxënësve, vazhdon bojkoti, nxënësit në protesta
Nxënësit e gjimnazit të Tetovës vazhdojnë bojkotin e mësimit...

Nxënësit e gjimnazit të Tetovës vazhdojnë bojkotin e mësimit. Nxënësit dy javë paguajnë transportin nga xhepi i tyre dhe thonë se këtë problem duhet ta zgjidhin autoritetet pasi ligji u garanton transport falas.
“Sipas Ligjit për vetë qeverisje lokale, Neni 22, pika 8, çdo nxënësi i garantohet nga komuna organizimi i transportit, ne e kemi filluar këtë vit gati se tre javë dhe ne nuk kemi transport”,- u shpreh një nxënës.
“Kërkesa jonë është që të bëhet transporti i nxënësve, ata premtuan se do bëhet transporti, nëse nuk bëhet ne përsëri këtu do jemi”,- theksoi një nxënës.
“Transport duhet të ketë, çka është kjo punë kështu”,- tha një nxënës.
“Kërkojmë transport! Do vazhdojmë të protestojmë deri sa të lirohet”,- potencoi një nxënës.
Komuna e Tetovës e hedh fajin tek shkollat, pasi, sipas komunës, përgjegjës për procedurat e tenderimit për gjetjen e transportuesve janë pikërisht drejtuesit e shkollave. Por, zëvendësdrejtori i Sh. M. “Gjoce Stojçeski”, Sulejman Fetai, thotë se shkollat tregojnë vetëm numrin e nxënësve që kanë nevojë për transport dhe procedurat e tjera i kryen Komuna.
“Fakt është se në mesin e mjeteve që lëshohen bllok donacionet përfshihen edhe mjetet për transport të nxënësve, mungojnë vetëm nxënësit nga viset më të larta, që janë më larg Tetovës, të cilët nuk janë në gjendje të bëjnë pagesën e transportit vet. Normalisht, i bie komunave t’i bëjnë. Ne si shkollë kemi për obligim të japim numrin e nxënësve që vijnë nga rajonet larg Komunës së Tetovës, ashtu siç janë të paraparë më larg se dy km. Ne kemi për obligim të japim të dhënat rreth numrit të nxënësve. Ne japim vetëm ato të dhëna që na takojnë ne si shkollë dhe këtë numër ne ia japim sektorit për arsim, komunës, të cilët ata më tutje i përpunojnë”,- deklaroi zëvendësdrejtori i Sh. M. “Gjoce Stoçeski”, Sulejman Fetai.
Derisa autoritete ia hedhin fajin njëra-tjetrës, kurse nxënësit janë të vendosur të bojkotojnë mësimin deri në zgjidhjen e problemit. (Visar Sadiki, TVM2)
