Anulohet gjykimi ndaj Demirit, “E majta”: Pushteti na ndjek politikisht
Procesi gjyqësor për padinë penale ndaj anëtarit të “Së majtës”, Mariglen Demirit...

Procesi gjyqësor për padinë penale ndaj anëtarit të “Së majtës”, Mariglen Demirit, është anuluar për më 22 nëntor, me kërkesë të Prokurorisë Publike, që ka kërkuar kohë që të shqyrtojë dëshmitë e mbrojtjes. Demiri akuzohet për demolimin e Zyrës popullore të presidentit Ivanov gjatë protestave të “Revolucionit laraman”.
Nga Partia “E majta” përkujtojnë se Demiri është anëtar i tretë i kësaj partie i ftuar në gjykatë dhe akuzojnë pushtetin për përndjekje politike.
“Kjo është përndjekje e hapur politike ndaj udhëheqësisë më të lartë të “Së majtës”. Siç po afrohen zgjedhjet, kjo përndjekje nga përndjekje penale kalon në fizike. Demiri është anëtari i tretë i partisë, i cili akuzohet për vepër inekzistente. Ekipi i juristëve të partisë, së bashku me avokatët, nuk ka ndërmend të pranojë fajin. Ne do të luftojmë deri në fund”,- deklaroi Dimitar Apasiev nga Partia “E majta”.
Nga “E majta” për këtë çështje kanë alarmuar edhe faktorët relevantë ndërkombëtarë. Përveç Demirit, padi penale ka edhe për dy anëtarët e tjerë të kësaj partie, Zdravko Savevski dhe Vlladimir Kunovski. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
