Harmonizimi i njësive zgjedhore, nuk ka dakordim në grupin punues

23.09.2016 17:13

Grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore.......

Grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore nuk arriti zgjidhje për këtë çështje në takimin e parë. Të gjitha palët mbetën në qëndrimet e tyre.

Çështja do të diskutohet në koordinimin e ditës së hënë te kryeparlamentari, por nuk përjashtohet mundësia që zgjidhja të kërkohet edhe jashtë Kuvendit.  

“Katër koordinatorët ngelën në qëndrimet e tyre, që janë të njohura për publikun, që d.m.th. nuk arritëm marrëveshje në këtë takim dhe unë ngel në qëndrimin se duhet të respektohet ligji, mbi të gjitha, për harmonizimin e njësive zgjedhore dhe ngel që në koordinimin e ardhshëm, bashkë me kryetarin e Kuvendit, edhe një herë të hapet kjo temë në koordinim”,- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.

Partitë maqedonase dhe BDI ofrojnë zgjidhje sa për të respektuar Kodin zgjedhor, por jo edhe zgjidhje për problemin shumëvjeçar dhe barazimin e peshës së votës, akuzon PDSh.

“Partitë maqedonase flasin për rregullimin e çështjes për ta rregulluar ligjin. Me këtë nënkuptojnë bartjen e dy-tre mijë votuesve nga Njësia zgjedhore numër gjashtë në Njësinë zgjedhore numër pesë. Dhe me këtë përcaktimi i tyre për të respektuar Kodin zgjedhor plotësohet, mirëpo ngel pabarazia e votës”,- tha Imer Aliu nga PDSh.

PDSh propozon uljen e pragut zgjedhor nga 5 në 1%, ose çdo njësi zgjedhore të japë deputetë në proporcion me numrin e votuesve.

BDI propozon që balancimi të bëhet sipas Listës zgjedhore me ato 30 mijë votues të kontestueshëm, të cilët u fshinë nga lista.

LSDM propozon që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, ndërkaq VMRO-DPMNE më herët deklaroi se do të mbështesë çdo darkordim mes tre partive të tjera. Nuk dihet nëse gjatë takimit ka ndryshuar qëndrim. (Shpëtim Nuredini, TVM2)