Maqedoni
Pendarovski: Beteja për president vazhdon
14.04.2014 18:22
Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara dje...

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara dje, ka arritur të grumbullojë gjithsej 326.69 vota, apo 37.57 %.
Në pres-konferencë të përbashkët me liderin e partisë opozitare, Zoran Zaev, kandidati për president nga LSDM, Pendarovski, falënderoi të gjithë qytetarët që kanë votuar për të, duke premtuar se lufta ende nuk ka mbaruar.
Sipas Pendarovskit, numri i votave të fituara nga ana e kundër-kandidatit të tij Ivanov, nuk është si rezultat i kualiteteve të tij, apo strukturës partiake.
Sipas kandidatit presidencial të LSDM-së, ndryshimet mund të bëhen bashkërisht me qytetarët. Ai iu falënderua të gjithë atyre që e votuan, duke kërkuar mbështetje më të madhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve, sepse sipas tij, nuk ka alternativë tjetër për një shtet që është vendosur me shpatulla për muri. Bashkërisht nuk iu frikësohemi, atyre po u vjen fundi dhe ne jemi më të fortë se ata, theksoi Pendarovski.
“Unë do të luftoj deri në ditën e fundit për çdo votë. Unë e kam për qëllim që deri në fund t’i qëndroj besnik konceptit dhe idesë që unë i besoj dhe shpresoj se në raundin e dytë qytetarët do të votojnë këtë koncept edhe në kushte të këtilla të shtypjeve”, deklaroi kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, ky rezultat i zgjedhjeve nuk ishte i pritur. Sipas tij, nga ana e partisë në pushtet është bërë një vjedhje sistematike e votave para dhe gjatë procesit zgjedhor.
“VMRO-DPMNE, e trembur nga humbja e zgjedhjeve, përmes vjedhjes, përmes sistemit, pengoi vullnetin e qytetarëve. Ne jemi këtu në këto momente të rënda bashkë me ju, të mos lejojmë regjimin të fitojë. Në rrethin e dytë do të kemi rezultate tërësisht ndryshe, nuk do të lejojmë të shkelet demokracia. Ky nuk është vullneti i popullit, dëshira për demokraci vazhdon. Vullneti i popullit duhet të respektohet dhe ne këtë do ta bëjmë”, u shpreh kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev u shpreh i bindur se më 27 prill qytetarët do të dalin dhe do të votojnë kundër oponentit të tyre politik, VMRO-DPMNE-së.
MEMEDALI JUSUFI
