Botë

Siri, ushtria siraine kryen sulme ajrore në Alepo

24.09.2016 15:12

Aeroplanët ushtarakë kanë ndërmarrë një valë të re të sulmeve ajrore kundër hapësirave nën kontrollin e kryengritësve në Alepo të Sirisë...

Aeroplanët ushtarakë kanë ndërmarrë një valë të re të sulmeve ajrore kundër hapësirave nën kontrollin e kryengritësve në Alepo të Sirisë, në kuadër të ofensivës madhore të planifikuar nga ushtria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia.
 
Ammar al Selmo, shef i mbrojtjes civile në pjesën lindore, që është nën kontrollin e forcave opozitare, i tha sot agjencisë Reuters se “për fat të keq sulmi po vazhdon”.
 
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se “sulmet janë intensive dhe të vazhdueshme”.
 
Në bisedimet e djeshme, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dështuan ta ripërtrijnë armëpushimin në Siri, derisa aeroplanët ndërmorën sulm masiv ajror kundër hapësirave nën kontrollin e kryegnritësve në Alepo, duke i vrarë dhjetëra njerëz.
 
Observatori sirian për të drejtat e njeriut raportoi se së paku 30 sulme ajrore i kanë qëlluar caqet e ndryshme në Alepo, gjatë mëngjesit të djeshëm, dhe tha se së paku 27 civilë janë vrarë, dhjetëra të tjerë janë plagosur, ndërsa ka edhe të atillë që ende janë të bllokuar nën gërmadha.
 
Ushtria e Sirisë, që është e mbështetur nga forca ajrore e Rusisë, para dy ditësh tha se e fillon një operacion të ri kundër pjesës lindore të Alepos, që është nën kontroll të kryengritësve. Në këtë pjesë jetojnë afro 250 mijë njerëz.