Maqedoni

Zaev u shkruan ndërkombëtarëve: VMRO-DPMNE po tenton të pengojë zgjedhjet; analistët: Zaev alarmon rrezikun e shtyerjes së zgjedhjeve

24.09.2016 16:10

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev u shkruan ambasadorëve garantues të Marrëveshjes së Përzhinës se VMRO - DPMNE po pengon mbajtjen e zgjedhjeve...

Në letër Zaev nënvizon se edhe përkundër përpjekjeve të partisë së tij për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor, VMRO-DPMNE vepron kundër duke ndikuar në gjyqësor.
 
“Gjykata kushtetuese edhe më tej politikisht po instrumentalizohet duke mos u prononcuar për kushtetueshmërinë e prokurorisë speciale. Gjyqësori po keqpërdoret politikisht deri në nivel të suspendimit të plotë të sundimit të së drejtës dhe shtetit ligjor”, shkruan midis tjerash Zaev ndërkombëatrëve. 
 
Analistët politik kometojnë ndryshe letrën e Zaev. Hasan Jashari dhe Petar Arsovski thonë se me këtë letër Zaev porosit për parandalimin e skenarit të shtyerjes së zgjedhjeve nga VMRO-DPMNE.
 
“Letra e Zaevit është një brengosje për proceset demokratike dhe për krijimin e një klime demokratike për zgjedhje. Kemi të bëjmë me një strukturë pushtetarësh që janë në pushtet katërmbëdhjetë vite dhe kjo për kushte të demokracisë parlamentare është diçka e pazakontë për botën demokratike. Natyrisht se këtu kanë ndodhur shumë gjëra të cilat e kanë rrënuar karakterin demokratik të shtetit”, tha Hasan Jashari, analist.
 
“Porosia e përgjithshme e letrës është parandalimi për herë të tretë të skenarit që na u përsërit dy herë, ajo është që pushteti dhe opozita të caktojnë datën e zgjedhjeve dhe më pas pushteti të mos repektojë asnjë nga kushtet. Deri më tani kjo rezultoi me shtyrje dy herë të zgjedhejve”, tha Petar Arsovski, analist.
 
Ndërkaq analisti Aleksandar Pandov konsideron se Zoran Zaev po tenton tu ik zgjedhjeve pas deklarimeve për dygjuhësi.
 
“Zoti Zaev deklaroi se dëshiron dygjuhësi në mbarë territorin e Maqedonisë, dhe si qershi e tortës ishte intervista e hidhur e Katica Janevës. Këta faktorë, në filim të fushatës elektorale ishin pretekst i mjaftueshëm të shkaktojnë panik në rradhët e LSDM-së dhe te vetë Zaev për hapjen e sërishme të derës për ikje dhe bojkot të sërishëm të zgjedhjeve të parakohshme”, tha Aleksandar Pandov, analist.
 
Analistët Hasani dhe Arsovski thonë se mbajtja pezull e çështjes së kushtetueshmërisë së prokurorisë speciale nga gjykata kushtetuese drejtëpërdrejtë pengon mbajtjen e zgjedhjeve.
 
Specialja sipas tyre është instrumenti kryesor për trasimin e rrugës së reformave në vend. Por analisti Pandov thotë se specialja mund të punojë pa pengesa edhe në rast se gjykata kushteteuse konteston legjitimitetin e saj, pasi partitë në afat prej pesë ditësh do të bëjnë çmos që Janeva të vazhdojë punën.
 
MERAL ISMAILI