Maqedoni
Analistët: Votat e Halimit debakëll për PDSH-në
14.04.2014 18:30
Koncepti i BDI-së për një kandidat konsenzual i sfidoi zgjedhjet presidenciale në Maqedoni...

Koncepti i BDI-së për një kandidat konsenzual i sfidoi zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, ku në masë të madhe shqiptarët abstenuan zgjedhjet, ndërsa kandidati i PDSH-së përjetoi një debakëll, vlerësojnë analistët.
Analisti politik, Naser Zyberi, vlerëson se kjo situatë është kështu për faktin se shqiptarët janë të pakënaqur nga proceset politike që zhvillohen në Maqedoni dhe refuzimit të ofertës së BDI-së për kandidat konsenzual. Ndërsa analisti Petar Arsovski, nuk pret ndonjë ndryshim të rezultatit në raundit e dytë, me faktin se partitë do të fokusohen për zgjedhjet parlamentare.
“Mos dalja në masë të madhe të votuesve shqiptarë për president, është indikator për dy çështje: së pari për pakënaqësinë që ekziston te pala shqiptare me proceset politike dhe e dyta është për përkrahjen që ka ky subjekt, duke pasur parasysh qëndrimin e tyre për abstenim, apo shqiptarët të mos marrin pjesë në zgjedhje presidenciale, si rezultat i mungesës për një kandidat konsenzual. Mund të thuhet se ky subjekt ia ka arritur qëllimit për të abstenuar dhe për të çuar një mesazh te kundër-kandidatët, se elektorati shqiptarë nuk është i kënaqur me ofertat” u shpreh analisti Naser Zyberi.
“Nëse mbahen rezultatet e deritanishme dhe këto numra, atëherë BDI e dominon trupin votues te shqiptarët dhe ky subjekt do të angazhohet më shumë për zgjedhjet parlamentare, por varet se si do të luajnë deri në fund politikisht”, tha analisti Petar Arsovski.
Zyberi po ashtu vlerëson se ky rezultat i dobët i PDSH-së për zgjedhjet presidenciale, demaskon të gjitha paralajmërimet se VMRO-DPMNE mund të formojë qeveri pa BDI-në dhe është i favorshëm për BDI-në në pozicionimin e saj politik.
“Duke pasur parasysh rezultatin katastrofik të PDSH-së, e qartë është se VMRO-DPMNE edhe sikur të dëshirojë të formojë qeveri pa BDI-në, me PDSH-në nuk mund ta bëjë këtë. Kjo situatë do ta sjellë në një pozicion VMRO-DPMNE që ta respektojë partnerin e koalicionit qeveritar, BDI-në dhe votën shqiptare”, theksoi analisti Naser Zyberi.
Ata vlerësojnë se përafërsisht rezultatet kanë qenë të pritura, duke shtuar se partitë politike garuese kanë dhënë maksimumin në zgjedhjet presidenciale, me qëllim që sa më shumë vota të marrin në rrethin e parë në zgjedhjet presidenciale, që më lehtë ta kenë në rrethin e dytë, si dhe të kenë ndikim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
AFRIM TANALLARI
