Botë
SHBA, arrestohet i dyshuari për të shtënat në Uashington
25.09.2016 13:38
Është arrestuar i dyshuari për të shtënat vdekjeprurëse në një qendër tregtare në qytetin Bërlington, të Uashingtonit, njoftojnë autoritetet amerikane...

Zëdhënësi i policisë në Uashington, Mark Francis, tha mbrëmë vonë se është kapur personi, Arcan Çetin, 20 vjeçar, banor në Oak Harbor në Uashington.
Çetin ka lindur në Turqi dhe është një banor i ligjshëm i përhershëm i SHBA njoftojnë zyrtarët. Në një konferencë shtypi, policia tha se Arcan Çetin ishte identifikuar si i dyshuar pasi një makinë që dyshohet se ishte e tija është parë në pamjet e kamerave të sigurisë në qendrën tregtare.
Pesë persona janë vrarë kur personi i armatosur ka hapur zjarr vonë në mbrëmje më 23 shtator, brenda një qendre tregtare në Bërlington.
Pas të shtënave, policia filloi një kërkim masiv. Motivi për këtë incident tragjik është i paqartë, por autoritetet thanë se nuk ka indikacione se ky ishte një akt terrorist.
