Maqedoni

Kandidati i PDSH-së, Halimi, mori 38.956 vota

14.04.2014 18:34

Kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi, ka arritur të grumbullojë vetëm 38.965 vota...

Kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi, ka arritur të grumbullojë vetëm  38.965 vota, ose rreth 30 mijë më pak se sa fillimisht kishte deklaruar kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, i cili pretendonte që PDSH ka rreth 70 mijë vota të sigurta dhe se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit do të fitojë 13-14 deputet.
 
Iljaz Halimi, kandidati i vetëm shqiptar për president, në zgjedhjet presidenciale shënoi rezultat minimal, rënie drastike të mbështetjes kishte edhe në bastionet të mirënjohura të PDSH-së. Edhe në komunat e banuara me shumicë nga shqiptarët, Halimi ka pësuar humbje.
 
Halimi pranoi rezultatin, ndërsa zgjedhjet i cilësoi korrekte, pa problem dhe të qeta.
 
“Me rëndësi është që procesi zgjedhor ka rrjedhë i qetë. Nuk ka pasur problem dhe kështu edhe ne si parti politike edhe ju si aktivistë, mendoj se e kemi dhënë provimin. Dëshiroj vetëm të falënderoj të gjithë votuesit që kanë dalë dhe më kanë mbështetur me votën e tyre. Kuptohet se kam konsideratë edhe për ata të tjerët që s’kanë mundur të dalin të votojnë për arsye që i dinë ata”, deklaroi ish-kandidati për president i PDSH-së, Iljaz Halimi.
 
Por tjetër vlerësim për procesin zgjedhor ka lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi. Sipas tij, zgjedhjet nuk kanë qenë demokratike, madje sipas tij, zgjedhjet janë mbajtur në një situatë të jashtëzakonshme.
 
“Parashikimet tona dolën edhe të rezultatit, por edhe të kësaj situate të jashtëzakonshme të votimeve, ku kishte trysni dhe presione të ndryshme. Në një situatë të këtillë nuk kishte votim demokratik dhe të fshehtë. Vota për profesor iljazin ishte votë e hapur. Kur dilte njeriu prej shtëpie, dihej se do të votojë për profesor Iljazin, e kam fjalën për shqiptarët. Tre parti politike të tjera shqiptare, u bënë bashkë. Disa për Pendarovskin, disa për Ivanovin, disa për bojkot. Ishte interesante se Pendarovski ka marrë 13 vota në Poroj. Kjo flet se vendimi i PDSH-së për të kandiduar profesor Iljazin ishte vendim i qëlluar kombëtar”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Mendu Thaçi.
 
Por, çfarë mbështetje ka gëzuar PDSH te elektorati shqiptar vetëm një vit më parë në zgjedhjet lokale? Në Strugë, në komunën  e vetme urbane, të cilën e fitoi në zgjedhjet lokale, e ku PDSH grumbulloi 9332 vota, dje ka fituar vetëm 1258 vota, ose katër herë më pak se vitin e kaluar.
 
Në vitin 2013, PDSH në Tetovë kishte 18.512 vota, kurse kandidati i saj dje ka fituar vetëm 7093 vota. 
 
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, PDSH grumbulloi 66.315 vota, ndërsa në rrethin e parët të zgjedhjeve presidenciale, vetëm  38.965. Nëse PDSH edhe në zgjedhjet parlamentare më 27 prill korrë të njëjtin rezultat, numri i deputetëve të saj në Kuvend do të reduktohet dukshëm. 
 
SHPËTIM NUREDINI