Botë
SHBA dhe aleatët: Rusia të rikthejë paqen në Siri; Ban Ki-Moon i tmerruar nga përshkallëzimi në Alepo
25.09.2016 15:02
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropainë kërkojnë nga Rusia që ta sjellë armëpushimin në Siri, duke tërhequr vërejtjen se durimi ndaj Moskës nuk është “i pakufizuar”...

Ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, kanë mbajtur mbrëmë vonë një mbledhje në Nju Jork.
“Ngarkesa është në Rusinë, që ajo të provoj se ka gatishmëri dhe është e aftë për të ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për shpëtimin e përpjekjeve diplomatike për ripërtritjen e ndaljes së armiqësive, lejimin e ndihmës humanitare të papenguar dhe krijimin e kushteve të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për tranzicionin politik”, thuhet në deklaratën e publikuar pas takimit të mbrëmshëm.
Ministrat, po ashtu, i kanë bërë presion Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “ndërmarrje të hapave të mëtejmë urgjentë për shqyrtimin e brutalitetit të këtij konflikti”, veçanërisht përshkallzimin ushtarak në qytetin verior sirian, Alepo.
Ndërkohë Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, është shprehur “i tmerruar nga përshkallëzimi ushtarak alarmues” në Alepo të Sirisë, ka thënë zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, nëpërmjet një kumtese.
“Prej shpalljes para dy ditësh të ushtrisë siriane për ofensivë për ta marrë pjesën lindore të Alepos, ka pasur raporte të përsëritura për sulme ajrore me involvimin e armatimit zjarrvënës dhe municionit të avancuar, siç janë bombat kundër bunkerëve”, thuhet në kumtesën e zëdhënësit Dujarric.
Për sulme të reja në Alepo është raportuar dje, derisa ushtria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia, ka depërtuar në pjesën veriore të qytetit, gjatë ofensivës së saj për ta rimarrë kontrollin në hapësirat ku tash gjenden kryengritësit. Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, tha se së paku 45 persona, në mesin e tyre 10 fëmijë, janë vrarë dje në pjesën lindore të Alepos.
VLORA LATIFI TOPOJANI
