Ekonomi
OEMVP: Buxheti optimist, por vështirë të realizohet
25.09.2016 17:51
Rritja e planifikuar prej 3% që është paraparë propozim buxhetin per 2017-en nga qeveria, është një rritje shumë optimiste por e cila do të jetë e vështirë për tu realizuar, vlerësojnë nga OEMVP...

Nga Oda thonë se ne pergjithesi qeveria propozon një buxhet me shifra premtuese, por pastaj të njejtat i i rishikon nëpërmjet rebalansit të buxhetit.
“Edhe këtë vit mendojmë se është një buxhet optimist, pasi që paraqet në të një rritje prej 3%, e cila në këto kushte është e vështirë të realizohet, ka një rritje të të hyrave prej 7.5%, rritje e cila do të ishte shumë mirë të realizohet, por meqë shihet që në çdo vit kemi rebalans të buxhetit dhe mu aty shkurtohen mjetet, prandaj besojmë që vështirë të realizohet buxheti, i cili është planifikuar nga qeveria”, tha Milaim Ameti, përfaqësues i OEMVP-së.
Investimet kapitale jane një segment për të cilin ministri i financave Kirill Minovski theksoi se këtë vit arrijnë nivel rekord dhe janë madje 20 % më të larta se në buxhetin e fundit. Por nga OEMVP thonë se në këtë fushë qeveria vepron në mënyrë selektive pasi që janë paraparë mjete vetëm për disa projekte, ndërsa projektet infratrukturore në vendbanimet shqiptare janë lënë pas dore.
Zona e lirë e Vizbegut dhe rruga Shkup-Bllacë janë disa nga shembujt ku qeveria ka parashikuar mjete minore apo aspak nuk është planifikuar ndarje e mjeteve për realizimin e tyre.
“Këto shpenzime kryesisht do të realizohen në disa projekte kapitale siç është korridori 10 Demir Kapi- Smokvicë, dhe një pjesë për hekurudhën, kurse rruga ose arteria kryesore që lidh biznesin tonë me pjesën e Kosovës Shkup-Bllacë as që është përmendur. Gjithashtu një theks të veçantë do ti kushtoja zonës së lirë të Vizbegut, është një zonë ku gravitojnë një numër i madh i kompanive të cilët qarkullojnë mbi 300 milion euro dhe punësojnë mijëra punëtorë, kurse investimet e parapara për këtë buxhet janë vetëm 1 milion denarë, që është një vlerë shumë minore për të bërë një projekt infrastrukturor”, shtoi Ameti.
Në lidhje me euro-obligacionin e ri që është paraparë të mirret në buxhetin e vitit 2017, nga ODA vlerësojnë se është e mirseardhur kur euro-bondi shfrytëzohet për projekte zhvillimore, por qeveria e shfrytëzon vetëm për mirëqenie sociale dhe kjo përben një fakt shqetësues.
ERSAN PAJAZITI
