Maqedoni
Ahmeti: Më 27 prill të votojmë vetëm për deputet
14.04.2014 18:38
BDI mbetet në qëndrimin për president konsenzual, prandaj edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nuk do të mbështes asnjërin nga dy kandidatët...
BDI mbetet në qëndrimin për president konsenzual, prandaj edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nuk do të mbështes asnjërin nga dy kandidatët që janë futur në rrethin e dytë.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi elektoratin që me 27 prill të votojnë për partinë e tij, për zgjedhjet parlamentare, por të abstenojnë nga fletëvotimet për president.
“Ne nuk bëjmë politika me standarde të dyfishta. Ne politikat tona i kemi përcaktuar mbi bindjet tona, mbi të mirën e përgjithshme. Ne kemi kërkuar që të arrihet një marrëveshje në mes palëve që kanë legjitimitet te të dy komunitetet më të mëdha, kjo marrëveshje nuk u arrit dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë idenë tonë madhore, idenë që kalon kufijtë te një pjesë më mirë të themi të një partie, por është ide e shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptar në Republikën e Maqedonisë dhe ne nuk do cenojmë, e as nuk do ta lëndojmë idenë, sepse ideja është shumë më shumë se sa një dalje me 27 prill për kandidatin e dytë të radhës, Stevo Pendarovskin”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti njëherit vlerësoi se shqiptarët janë ndërgjegjësuar politikisht, në veçanti me mos pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 13 prillit, duke i thënë një “Jo Presidentit të njëanshëm”, duke i thënë “Jo Presidentit pa marrëveshje”.
Mosdalja e shqiptarëve me 13 prill, demonstron një përkrahje të fortë, për një ide kombëtare, mbipartiake, se në këtë vend kërkohet ndryshimi, në këtë vend kërkohet reflektimi, se ky vend u takon të gjithë atyre që jetojnë në këto hapësira dhe është rritur besimi tek shqiptarët se në këtë vend mund të hapërohet bashkërisht, mund të punohet bashkërisht dhe ne do të vazhdojmë në insistimin tonë që kjo ide të materializohet, që kjo ide të kapitalizohet, mos tani në proceset që vijnë në të ardhmen, tha Ahmeti.
Sipas tij, ideja e BDI-së është një ide që afron, një ide që reflekton te të gjithë pozitivisht për një të ardhme më të mirë të vendit tonë.
FLORIJE KAMBERI
