Marquez triumfon në Aragon, hipotekon titullin në Moto GP
Marc Marquez me Honda ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Spanjës në Moto GP, zhvilluar në pistën e Aragon, duke hipotekuar edhe titullin kampion...

Spanjolli ka 52 pikë avantazh karshi Rossit, që sot u rendit i treti, ndërkohë që kanë mbetur edhe 4 gara nga fundi i Botërorit.
Një garë e bukur vetëm në pjesën e parë, kur dy pretendentët për titull dueluan mes tyre, pasi më tej në pistë dominoi Marquez, që u shkëput dhe fitoi me meritë.
Rossi, që deri 12 xhiro nga fundi ishte në krye, humbi terren në pjesën e dytë të garës, duke u parakaluar edhe nga shoku i skuadrës Jorge Lorenzo, që u rendit i dyti.
Kështu, Marquez, Lorenzo e Rossi ngjiten në podium në pistën e Aragon, fitorja e parë e një piloti spanjoll në garën e shtëpisë këtë sezon, pas dy sukseseve të mëparshme të italianit (në Jerez dhe Katalunja). Gara dhuron surpriza që në xhirot e para, me shumë luhatje të pilotëve, që ndryshojnë hera-herës vendet në renditje.
Marquez, që e nisi garën nga “pole”, humbet disi terren në start, madje për një moment edhe gabon, por nuk lë rivalët të shkëputen. Ai që dominon në pjesën e parë të garës është Rossi, që edhe pse e nisi atë nga vendi i gjashtë, pas 8 xhirosh merr kreun.
Shpejt nis një duel mes dy më të mirëve në Moto GP, Rossi e Marquez, ndërsa për podiumin duelojnë Vinales e Lorenzo, të shkëputur nga dyshja e kreut. Por në pjesën e dytë të garës është Marquez ai që dominon në pistë, parakalon Rossin dhe merr kreun, shkëputet dhe fiton garën. Italiani parakalohet edhe nga shoku i skuadrës së Yamaha, duke e mbyllur garën i treti.
Botërori i Moto GP spostohet në anën tjetër të botës, teksa më 16 tetor garohet në Japoni.
