“Xhungla” në Calais, Hollande: do ta mbyllim përgjithmonë

26.09.2016 11:47

Xhungla e Calais është kthyer në një gangrenë të tillë për qytetin-port...

Xhungla e Calais është kthyer në një gangrenë të tillë për qytetin-port, sa gjatë vizitës së tij atje, presidenti francez, Francois Hollande, premtoi mbylljen e plotë dhe të përhershme të saj.

Ky hap ndërmerret për të  garantuar sigurinë e banorëve të Calais, ruajtjen e rendit publik, si dhe faktin që emigrantët e refugjatët të jetojnë në kushte dinjitoze, sepse janë në Francë, ka potencuar shefi i Elizesë.

“Ne duhet ta heqim një herë e mirë kampin e Calais. Është një operacion i jashtëzakonshëm, sepse e tillë është edhe situata me të cilën përballemi. Duhet t’i shkojmë deri në fund me vendosmëri dhe në mënyrë sistematike, por duke mos e humbur njëkohësisht ndjenjën e humanizmit në kohën kur realizojmë shpërnguljet”,- deklaroi presidenti i Francës, Francois Hollande.

Fati i rreth 10 mijë personave që jetojnë në këtë kamp është kthyer në temë qendrore të fushatës presidenciale të vendit. Hollande kujtoi se, fakti që Britania e Madhe vendosi të shkëputej nga Bashkimi Europian nuk e çliron atë nga detyrimet që ka ndaj Francës, ndaj dhe i kërkoi Londrës të bëjë pjesën që i takon në menaxhimin e krizës.

Shumica e emigrantëve të Calais jetojnë në kampin e saj në kushte skandaloze, ndërsa shpresat e pjesës dërrmuese të tyre janë që të hyjnë ilegalisht në Angli me kamionët që kalojnë me tragete La Manshin. (Gazmend Kurtishi, TVM2)