Maqedoni

Kumanovë, më në fund fillon viti i ri shkollor edhe në Opajë

26.09.2016 17:01

Pas një vazhdimi gati katër javësh të pushimit veror, për nxënësit e Sh. F “7 Marsi “ në fshatin Opajë të Likovës më në fund ka filluar viti i ri shkollor...

Ndonëse filluan me vonesë për shkak të rinovimit të objektit shkollor, nxënës e arsimtarë megjithatë u shprehën të lumtur, pasi që nga kushtet katastrofike për mësim tani do të kenë kushte bashkëkohore për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
 
“Më pëlqeu shumë, sepse më parë i kemi pasur kushtet e vështira, kurse tani është më mirë”- tha nxënësja, Riga Ibrahimi.
 
“Megjithëse është pak me vonesë mirëpo përsëri jemi të lumtur sepse shkolla jonë ka marr një pamje të ndryshe, me kushtet që i kishim më herët kushte mesjetare , tash kemi kushte shumë më të mira”,- theksoi arsimtarja, Luljeta Alitgashi.
 
“Për 270 nxënës janë krijuar kushte optimale për mësim”,- u shpreh drejtori i shkollës, Besnik Ibraimi.
 
“Pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vite investime në arsim në këto troje nuk janë bërë fare. Për herë të parë investohet në shkollat fillore dhe në gjeneratat e reja, tek fëmijët tanë. Edhe pse kjo vonesë e vogël është bërë, procesi edukativo-arsimor do të vazhdojë dhe asnjë orë nuk do të humbet”,- deklaroi kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.
 
Ndryshe, për rinovimin e tërësishëm të objektit të Shkollës Fillore “7 Marsi” në Opajë, Komuna e Likovës ka ndarë mbi 110 mijë euro, mjete këto nga një kredi e marrë prej 400 mijë eurosh për rinovimin e shkollave në komunë.
 
NEXHAT AQIFI