Maqedoni
LSDM: Kushtet në konvikte, të tmerrshme; Ministria e Arsimit: LSDM manipulon me studentët
26.09.2016 17:23
Studentët e Konviktit studentor “Stiv Naumov” jetojnë në kushte mizore jashtë çdo norme njerëzore, njoftoi nënkryetari i rinisë së LSDM-së, Darko Kaevski...

Ai tha se dy pavionët e riparuar janë mykur nga lagështia qysh nga rënia e shiut të parë.
“Ky është realiteti ynë i hidhur me të cilin përballen studentët në Maqedoni, ata nuk kanë ushqim të mjaftueshëm dhe kërkojnë bonot e tyre të pagesës me të cilat do të mund të blejnë ushqim, sepse kartela elektronike nuk është garanci se do të marrin vaktin ushqimor. Studentët pastrohen me ujë të ftohtë, me dyer të hapura, dhe kanë frikë të shkojnë në tualet”,- deklaroi nënkryetari i Rinisë së LSDM-së, Darko Kaeski.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit në reagimin e saj ka theksuar se përfaqësuesit e LSDM-së asnjëherë nuk e kanë vizituar ose qëndruar në konvikt dhe flasin në lidhje me kushtet dhe ushqimin. Sipas MASh–it, Qeveria aktuale është e vetmja e cila deri më tani ka investuar pesë milionë euro për ndërtimin e kapaciteteve të reja për strehim dhe në rikonstruimin dhe pajisjen e kapaciteteve ekzistuese.
“Ka disa aktivitete të tjera të investimeve, si zëvendësimi i pajisjeve ekzistuese dhe mobileve, blerja e makinave larëse dhe tharëse, dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i dy konvikteve krejtësisht të reja. Në aspektin e të ushqyerit, të gjithë përdoruesit e shërbimeve në konvikte marrin tre vakte çdo ditë të javës, në sasi sipas rregullave dhe normave për ushqim. Kështu që deklaratat e këtij lloji mund të kuptohen vetëm si një lojë politike prapa studentëve, duke u përpjekur për të fituar betejat e përditshme politike”,- thuhet në deklaratë.
Ministria i bëri thirrje LSDM–së të ndalojë me trillimet dhe të respektojë parimet e përgjegjësisë sociale, etikës dhe moralit në paraqitjet publike.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
