Maqedoni

Dështon Grupi punues, Haliti: Nuk ka rezultate pozitive; Shilegov: VMRO dhe BDI i ikin zgjedhjeve

26.09.2016 17:45

Grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore ka dështuar të gjejë zgjidhje konsensuale për harmonizimin e njësive zgjedhore...

Gjatë koordinimit te kryeparlamentari, kryetari i këtij grupi, Rafiz Haliti, ka njoftuar kreun e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare për dështimin e nismës.
 
Sipas Halitit, tani përgjegjësia për të gjetur zgjidhje në harmoni me Kodin zgjedhor i mbetet Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë.    
  
“Unë si kryetar i Grupit punues, e njoftova kryetarin e Kuvendit dhe të gjithë të tjerët, të pranishëm aty, se nuk ka rezultate pozitive në takimet që ka pas Grupi punues dhe ngel që Kuvendi dhe institucionet, të cilat duhet të respektojnë ligjin, që në të ardhmen të bëjnë harmonizimin që është paraqitur midis një njësie zgjedhore me tjetrën”,- deklaroi kryetari i Grupit punues, Rafis Haliti.
 
Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE dhe BDI po u ikin zgjedhjeve.     
 
“Të vetmit të cilët ikin nga zgjedhjet jo vetëm tani, por gjatë tërë vitit, janë VMRO-DPMNE dhe BDI. Nuk do të lejojmë të anulohen sërish zgjedhjet, të cilat duhet të jenë korrekte, demokratike dhe kredibile. Maqedonia duhet patjetër të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike”,- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
 
Ndryshe, BDI propozonte që balancimi të bëhet sipas Listës zgjedhore me ato 30 mijë votues të kontestueshëm, të cilët u fshinë nga lista. Propozim që u kundërshtua nga partitë maqedonase.
PDSh propozonte uljen e pragut zgjedhor nga 5 në 1%, ose çdo njësi zgjedhore të japë deputetë në proporcion me numrin e votuesve, ndërsa  LSDM propozonte që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore.
 
SHPËTIM NUREDINI