Maqedoni
Deklaratat e Gjorçevit, BDI: Ofendoi shqiptarët; PDSH: Ai flet si qeveria
26.09.2016 17:54
E nxehtë situata në Komisionin për sistem politik, ku diskutohet raporti i PSP-së...

BDI ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Komisionit, Vllatko Gjorçev, i cili të premten akuzoi LSDM-në, BDI-në dhe PDSh-në se bashkëpunojnë me prokuroren speciale, Katica Janeva, që më pas të dërgojnë kërkesë për dygjuhësi dhe të bëjnë federalizimin e Maqedonisë.
Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, kërkoi që Gjorçev të kërkojë falje publike, pasi fjalime të tilla nxisin urrejtje etnike dhe fetare.
“Me fjalët që keni thënë keni bërë fyerje kolektive për shqiptarët, keni apostrofuar deputetë të Kosovës, keni bërë nxitje në baza etnike dhe fetare. Nëse jeni kryetar i denjë i Komisionit, duhet t’i shqyrtoni deklaratat tuaja dhe të kërkoni falje publike. Unë nuk ndërhyj në pikëpamjet tuaja, por ju këtu e keni gabim”- deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, as që u mundua të kërkojë falje, por shkurt tha se Maqedonia dhe Republika e Kosovës duhet të kenë bashkëpunim dhe se respekton institucionet e Kosovës, por se është kundër politikave të Albin Kurtit.
“Republika e Maqedonisë dhe e Kosovës duhet të kenë raporte të mira fqinjësore. Kryetari i Kosovës dhe kryeministri i Kosovës udhëheqin politika për normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan. Njëkohësisht mendoj se Albin Kurti si deputet nuk vepron në mënyrë konstruktive në Kuvend”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
PDSh-së nuk do t’i bënte përshtypje edhe sikur Gjorçev të kërkonte falje. Deputeti, Imer Aliu, thotë se e gjithë politika e qeverisë aktuale bazohet në politika nga të cilat pësojnë shqiptarët.
“Tash ne dëgjojmë këtu se njëra prokurori është e njërës parti maqedonase e tjetra e tjetrës. Është për të ardhur keq në çfarë gjendje e keni sjellë këtë sistem të drejtësisë. Për fat të keq, për çdo ditë po e pësojnë shqiptarët, sikur ta pësonit ju bashkërisht me këtë politik që e bëni s’do më vinte keq aspak. Fjalimi yt nuk ndryshon nga qasja që e ka qeveria që t’i e përfaqëson, ku bën pjesë edhe një parti politike shqiptare”,- tha deputeti i PDSh-së, Imer Aliu.
LSDM-së thotë se në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare foltorja po keqpërdoret për fjalime politike.
“Ne këtu kemi të bëjmë me tema serioze, duhet të flasim për raportin e punës së Zvërlevskit. Unë duhet ta pyes atë se sa kohë i duhet Prokurorisë Publike që të ngrejë një akuzë. Ndërkaq, për këtë nuk jepet mundësi dhe foltorja përdoret për fushatë parazgjedhore dhe bëhet një luftë që deputetët të përfshihen nëpër listat për deputetë”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.
Prokurorja speciale, Katica Janeva, braktisi punën e Komisionit për sistem politik dhe tha se do të marrë pjesë vetëm në seancën plenare, sepse po i bëhet mobing klasik.
“Ju tregoj dhe njoftoj se kjo është hera e fundit që unë po vij në Komision. Hera e fundit është, nuk vi më. Vetëm në seancën plenare do të vi. Dhe tani po shkoj”,- theksoi prokurorja speciale publike, Katica Janeva.
Para se të braktis Komisionin, Janeva dëgjoi deputeten, Vlladinka Aviroviq, pyetjet e së cilës u shenduan në fjalim dyorësh.
SANIJE DURAKU
