Përballje televizive Clinton-Trump, 62% e shikuesve pëlqejnë qëndrimet e Clinton
27.09.2016 10:17
62% e shikuesve menduan se Hillary Clinton kishte qëndrime më të mira se Donald Trump, i cili bindi vetëm 27% të audiencës...

62% e shikuesve menduan se Hillary Clinton kishte qëndrime më të mira se Donald Trump, i cili bindi vetëm 27% të audiencës gjatë debatit të parë televiziv për zgjedhjet presidenciale në ShBA, flet një sondazh i CNN-së.
“New York Times” për dominimin e demokrates në debat shkruan se ajo e nisi debatin disi e pasigurt, por e përfundoi me tone të forta e bindëse.
Ndër pikat më kulmore të këtij debati ishte përballja mbi aftësinë fizike të kandidatëve për të përballuar detyrën e presidentit, ku Clinton përmendi gjithë arritjet e saj si sekretare e shtetit, çështjen e taksave, problemet racore në vend, vlerësimin e Trumpit për Putinin dhe luftën në Irak, ku demokratja ishte në avantazh me argumentet e saj.
“Keni të drejtë. Raca mbetet një sfidë e rëndësishme në vendin tonë. Për fat të keq, raca ende përcakton shumë, në shumë raste përcakton se ku jetojnë njerëzit, përcakton se çfarë lloj të arsimimit marrin në shkollat e tyre publike dhe padyshim ajo përcakton se si ata trajtohen para sistemit të drejtësisë",- deklaroi kandidatja demokrate për presidente të ShBA-ve, Hillary Clinton.
“Para së gjithash, sekretarja Clinton nuk dëshiron të përdorë disa fjalë dhe kjo është rendi dhe ligji. Ne kemi nevojë për rend dhe ligj. Nëse se kemi këtë, s’do të kemi shtet”,- tha kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
BBC në një shkrim analitik konsideroi përballjen një “minierë ari” për të analizuar disa nga argumentet më të përdorura nga kandidatët, të cilët u ballafaquan me fakte konkrete.
“The Guardian” e ka cilësuar debatin Clinton-Trump si më të çuditshmin dhe më të egrin në historinë amerikane dhe në analizën e saj përqendrohet më tepër tek gjuha e trupit.
Shkëmbimet e hidhura dëshmuan armiqësinë e vërtetë mes kandidatëve, ndërkohë që e bëri më tërheqës për audiencën, por opinioni i tyre mbetet më diplomatik.
Shumë njerëz të intervistuar nga mediat thonë se pavarësisht shkëmbimeve të nxehta verbale në podium, dy kandidatët nuk bënë aq sa duhet për të fituar më shumë mbështetje dhe për të tërhequr votën e atyre që ende nuk kanë vendosur për kë të votojnë.
“Unë sigurisht mendoj se Hillary ishte fituesja. Ndoshta mund të jetë ndryshe herën tjetër. Ai definitivisht do të duhet të përgatitet pas kësaj. Ishte e qartë se ajo ishte e gatshme për përballje, ai jo”,- tha një student.
"Ai padyshim përpiqej të jetë autoritar dhe jo i sjellshëm në debat, gjë që unë nuk e kisha pritur. Çdo herë që unë e shoh atë dhe dëgjoj, kthehem pas në të gjitha komentet të cilat ai i ka bërë për gratë gjatë vitit të kaluar”,- theksoi një studente.
Debati u ndoq nga 100 milionë spektatorë, ndërsa deri në momentin final janë dhe dy debate të tjera, ai i 9 dhe 19 tetorit.
LEUNORA KALIQI
