Maqedoniv

“Besa”, propozim për ndarjen e njësive zgjedhore

27.09.2016 15:11

Në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni deputetët shqiptarë vazhdimisht janë zgjedhur me më shumë vota se sa deputetët maqedonas...

Në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni deputetët shqiptarë vazhdimisht janë zgjedhur me më shumë vota se sa deputetët maqedonas, deklarojnë nga Lëvizja “Besa”, duke theksuar se kjo ka shkaktuar disbalanc politik në përfaqësimin e qytetarëve në Kuvend që nga viti 1990.
 
Marrë parasysh edhe disbalancin aktual të votuesve në njësitë zgjedhore, Lëvizja “Besa” ka dalë me propozim të saj se si do të duhej të ndaheshin gjashtë njësitë zgjedhore, me të cilin pesha e votës do të ishte e barabartë në të gjithë territorin e vendit.
 
“Kemi bërë një propozim krejt të ri të ndarjes së njësive zgjedhore, duke u bazuar në dy parime bazë:barazia e votës dhe gjithpërfshirja komunale në njësinë përkatëse zgjedhore. Në bazë të propozimit tonë secila komunë në Maqedoni do të jetë në të njëjtën njësi zgjedhore dhe jo e ndarë në dy të tilla, siç ka qenë rasti deri më tani, dhe numri i votuesve në secilën  njësi do të jetë shumë i balancuar, gjë që është parakusht për zgjedhje korrekte dhe demokratike”,- deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja “Besa”.
 
Sipas propozimit të Lëvizjes “Besa”, njësia me më pak votues do të ishte njësia e katërt zgjedhore, me 293 mijë e 637 votues, ndërsa njësia me më shumë votues do të ishte njësia e tretë, me 297 mijë e 789 votues.
 
Nga Lëvizja “Besa” thonë se propozimin për një njësi zgjedhore me lista të hapura do ta dërgojnë deri te katër subjektet politike të përfshira në procesin e Përzhinës, deri te KShZ-ja, kori diplomatik në vend,OSBE-ODIHR dhe te organizatat ndërkombëtare relevante për zgjedhje.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI