Maqedoni
KH: Ndihmë juridike falas për kategoritë më të ndjeshme
27.09.2016 16:34
Komiteti i Helsinkit dhe Ambasada britanike në Shkup do të sigurojnë ndihmë juridike për kategoritë më të ndjeshme, për t’i mbrojtur nga diskriminimi...

Kjo mundësohet me projektin “Përkrahje nga shoqëria civile ndaj politikave për kohezion social dhe dallimet”.
“Qëllimi i këtij projekti është që të zhvillojë analizë dhe rekomandime të politikave në disa fusha, në atë sociale, shëndetësore, arsimore dhe jetë më cilësore. Kur flasim për inkluzione, nuk flasim për një koncept abstrakt, por flasim për njerëz të vërtetë, për njerëz me nevoja të veçanta, gra nga vende rurale, për romët dhe për shumë të tjerë”,- deklaroi ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Carl Garet.
“Një nga prioritetet është që edhe çështja e diskriminimit të përfshihet në Ligjin për ndihmë juridike falas dhe kategoritë më të ndjeshme të kenë mundësi për të rifilluar procedurë për mbrojtje nga diskriminimi. Në raste strategjike, që mendojmë se do të përfshihen grupe më të mëdha, vetë ne do t’u sigurojmë ndihmë juridike falas dhe qasje në gjyq”,- thanë nga Komiteti i Helsinkit.
Projekti ka për qëllim që t’u sigurojë ndihmë juridike falas për mbrojtje nga diskriminimi personave të kategorive të lartëpërmendura të cilat nuk munden për shkak të çmimeve të larta të fillojnë procedura juridike.
REJHANE BUSHI-METAJ
