Maqedoni

Harmonizimi i njësive zgjedhore, Bilalli: Kërkohet alibi për shtyrjen e zgjedhjeve

27.09.2016 16:48

Dështimi i Grupit punues për harmonizimin e njësive zgjedhore është edhe një sinjal se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për në dhjetor mund të shtyhen...

Sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, dallimi i madh mes njësive zgjedhore është në kundërshtim me Kodin zgjedhor dhe mund të jetë alibia më e qëndrueshme për të pezulluar datën e zgjedhjeve. Por, sipas tij, një tentim i tillë nuk do të kalojë te faktori ndërkombëtar.    
  
“Jam i bindur se kalkulimet partiake të partive që janë në pushtet nuk janë shumë optimistë për ato dhe me siguri që ata gjejnë variante apo alibi për shtyrjen e zgjedhjeve dhe një ndër variantet që mund të ketë “logjikë” më të përmbajtur është çështja e diferencës apo dallimeve të mëdha mes njësive zgjedhore që ndeshet drejtpërdrejtë me Kodin Zgjedhor, i cili parasheh +5%, -5%. Unë mendoj se mund të jetë kjo një alibi për shtyrjen e zgjedhjeve, por që bashkësia ndërkombëtare, nuk jam i sigurt se, këtë punë do ta gëlltisë lehtë”,- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
Kryetari i këtij Grupi punues, Rafiz Haliti, ditën e hënë deklaroi se ka njoftuar kreun e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare për dështimin e nismës. Sipas tij, tani përgjegjësia për të gjetur zgjidhje në harmoni me Kodin Zgjedhor i mbetet Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit.
 
Ai nuk përjashtoi mundësinë që zgjidhja të kërkohet edhe jashtë institucioneve, duke aluduar në grupet punuese për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, ose në ndonjë takim të liderëve, nënshkrues të kësaj marrëveshje.         
     
SHPËTIM NUREDINI