Maqedoni
Ngec implementimi i Ligjit për denoncuesit, Komisioni i Venecias me vërejtje për moszbatimin
27.09.2016 17:57
Ligji për mbrojtjen e informatorëve apo denoncuesve për keqpërdorim të detyrës nëpër institucione publike, që e ka miratuar Kuvendi, ngec në zbatim, për çka ka dalë me vërejtje edhe Komisioni i Venecias...

Sipas Sllagjana Tasevës nga “Transparency International”, vërejtjet e Komisionit të Venecias kanë të bëjnë me kushtet dhe procedurat për denoncim.
Denoncuesit nuk kanë ku të paraqesin parregullsitë eventuale brenda institucionit, ndërsa një vërejtje tjetër me rëndësi mbetet mbrojtja e identitetit të denoncuesit, sqaron Taseva.
“Ky ligj është miratuar si rezultat i marrëveshjes politike, aspak nuk ka filluar të zbatohet. Institucionet shtetërore, që janë përgjegjëse për implementimin e këtij ligji, nuk kanë marrë asnjë aktivitet për të siguruar implementim dhe nuk kanë siguruar asnjë informacion për atë se në çfarë vendi qytetarët do të mund të denoncojnë çfarëdolloj rasti për të cilin mendojnë se duhet të paraqitet dhe të njëjtët të fitojnë statusin e dëshmitarit mbrojtës”,- deklaroi Sllagjana Taseva nga “Transparency International”.
Ndërsa ambasadori holandez, Wouter Plomp, inkurajoi institucionet që në mënyrë adekuate, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, të mbrojnë ata që janë të gatshëm të paralajmërojnë për raste korruptive.
“Rekomandimet e Komisionit të Venedikut janë shumë të rëndësishme. Më vjen mirë që Maqedonia ka bërë një hap të rëndësishëm. Inkurajoj institucionet dhe shpresoj ta kryejnë punën e tyre”,- theksoi ambasadori i Holandës në RM, Wouter Plomp.
Ligji për mbrojtjen e denoncuesve apo informatorëve është miratuar si rezultat i negociatave midis partive politike në Përzhinë, në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti.
NAIM RAMADANI
